| |
Një incident diplomatik me kufirin shqiptaro-grek Shkruan : Revista Mapo Nga Petrit Kasemi*
Marrëdhëniet tepër delikate shqiptaro-greke, të dëmtuar nga e kaluara e largët dhe e afërt e tyre, nuk lejojnë qasje dhe qëndrime si ajo e dëshmuar nga ekspertët ushtarakë të të dy vëndeve në fazën e negocimit të kësaj marrëveshje. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, për ta shpallur juridikisht si të pasaktë e të papajtueshme me Kushtetutën, e vlerësoj si të drejtë dhe plot profesionalizëm. Jam shumë i sigurt se ky vendim i bën mirë jo vetëm Shqipërisë dhe ekspertëve të saj përgjegjës, por edhe Greqisë fqinje. Uroj që kështu të pritet e të interpretohet nga të dy qeveritë e të dy vëndeve ky vendim kurajoz dhe historik në marrëdhëniet e tyre.
Marrëdhëniet dypalëshe janë në një fazë dhe stad që nuk pranon mosprofesionalizëm apo mbrojtje të interesave të ngutura të çastit. Por reagimet e para greke, si ai i zëvendës ministrit të jashtëm deshmojnë së është pala greke që po ndjen “keqardhjen” dhe tregon ngutje per arritjen e një marrëveshje të tillë. Ajo në mënyrë po të pa qartë i bën thirrje Tiranës zyrtare se Athina pret pas kësaj një lëvizje të dëshiruar për të...!
Por cila është lëvizja e dëshiruar që pret Athina zyrtare? Mos është gjetja e mënyrave përsëri të paqarta në realizimin e një marrëveshje delikate si ajo e ujrave territoriale detare të njëllojtë si e para? Vlersëohet fakti që të dyja palët në dukje deklaruan se e respektojnë vendimin dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese çka është për t’u përshëndetur. Por kjo nuk mjafton. Ajo duhet të pasohet edhe me hapa të qarta dhe konkrete për respektimin e ndërsjellët të interesave dhe sovranitetit të secilit në negocime të tjera, pavarsisht se në një të ardhme të afërt ujërat e të dy vëndeve do të bëjnë pjesë në BE. Megjithatë, kufijtë sovranë, ndofta jo në kuptimin e mirëfilltë klasik, do të vazhojnë të respektohen përsa do të ketë shtete. Përndryshe Greqia, në këtë rast, nuk do të interesohej kaq me ngut dhe pikërisht tani ku nga ana e saj është ndërmarrë dhe nisma për integrimin Shqipërisë në familjen e madhe të BE-së, jo larg por shumë më afër se sa pritet, më 2014. Pala shqiptare, për hir të këtij qëllimi strategjik detyrohet të ngutet dhe të harxhojë energji si në rastin e tentativës së parë, ndërkohë që kjo energji dhe vëmëndje është shumë e çmuar për këtë vend për të përmbushur detyra të tjera më imediate se sa arritja e marrëveshjes së kufirit të ujrave. E vërteta është se as mungesa dhe as finalizimi i saj nuk kanë shkaktuar ndonjë dëm apo mosmarrëveshje konfliktuale deri më sot. Po të kemi parasysh edhe incidentet me anijet greke, kur ato kanë shkelur hapësirën e ujrave territoriale shqiptare, një marëveshje e tillë nuk është shtruar asnjëherë si urgjente, pavarësisht se në parim ka ekzistuar në vullnetin e të dyja palëve.
Me këtë rast, si ish specialist i marrëdhënieve shqiptaro-greke, dua të theksoj një fakt që pat lënë shije të hidhur në kujtesën e negociatorëve dhe specialistëve shqiptarë, ku bënte pjesë edhe i nënshkruari, gjatë diskutimit për arritjen e një Marrëveshje për Riparimin e vijës kufitare tokësore midis të dy vëndeve fqinje. Kujtoj se me dëshirën e të dyja palëve, në kuadër të Komisionit të Përbashkët Shqiptaro-Grek më 1994-1995, u formua Nënkomisioni i Përbashkët për Kufirin. Në të bënin pjesë ekspertë ushtarakë me nivel të lartë teknik e profesional, si dhe përfaqësues të dy Ministrive të Jashtme. Në takimin e dytë zyrtar në Athinë, ku do të finalizohej dokumenti bazë, i cili ishte një Protokoll Marrëveshje Kuadër për t’u zbatuar në parim nga të dy vendet në terren, pala greke gjatë bisedimeve në Ministrinë Greke të Mbrojtjes shpalosi një qëndrim dhe koncept të papranushëm e jashtë realitetit të gjërave. Habia jonë ishte po kaq e madhe po të shtojmë këtu se përballë nesh ishte pozicionimi i ekspertëve të një vëndi antar te BE –së, nga goja e të cilëve zyrtarisht u shpalos një koncept tronditës. Për hir të interesit për një fqinjësi të mirë, Shqipëria nuk i ka denoncuar këto koncepte, që pohoheshin nga ushtarakë të lartë grekë, dhe jo nga individë dosido apo qarqe të caktuara “ekstremiste”, siç është thënë shpesh.
Por çfarë thanë ushtarakët e lartë grekë? Në dallim nga takimi i parë në Tiranë, në Athinë pala greke e nisi pozicionimin në bisedime me një formulim jo të saktë. Ajo iu përmbajt pikëpamjes që dokumenti të quhej “Përcaktimi i Vijës Kufitare“. Kjo u kundërshtua nga pala jonë dhe palës greke iu bë thirrje menjëherë që të korrigjonte përdorimin e termave, sepse ne nuk ishim mbledhur të përcaktonim vijën e kufirit, por për të lidhur një Marrëveshje për Riparimin dhe Mirëmbajtjen e Vijës Kufitare Tokësore. Mbas kësaj ndërhyrjeje serioze, pala greke kërkoi ndjesë se “u shprehëm gabimisht dhe u keqkuptuam“.
Por nuk mjaftoi me kaq. Ajo që na shkaktoi habi dhe madje tronditje ishte qëndrimi këmbëngulës grek që në dokumentin e Protokoll Marrëveshjes të shënohej se riparimi i piramidave kryesore dhe dytësore të bëhej duke i identifikuar ato sipas vijës ekzistuese në vënd rast pas rasti, duke ngulur këmbë që në Preambulën e Marrëveshjes nuk ishte e nevojshme t’i referoheshim “dokumenteve ndërkombëtare, përkatësisht Protokollit Ndërkombëtar të Firences me Anekset përkatëse të vitit 1925 per Kufirin Shqiptaro-Grek”, dokumente që i posedonte secila palë.
Bisedimet zgjatën me orë të tëra. Konsensusi grek në formulimin e Marrëveshjes nuk po jepej pasi pala greke nuk pranonte qëndrimin tonë, duke e quajtur si “të panevojshëm për të dy vendet“. “Duke u nisur nga vullneti i mirë që ekziston midis nesh për një marrëveshje për kufirin – ngulnin këmbë ushtarakët grekë – nuk ka nevojë t’i referohemi Marrëveshjes përkatëse ndërkombëtare, pasi tingëllon si e kaluar në kohë dhe dëshmon se nuk kemi besim tek njeri- tjetri”.
Kujtoj këtu me respekt ekipin shqiptar të negociatave të drejtuar nga Gjeneral B. Pregja, Drejtori i Kufirit i Republikës së Shqipërisë, jo vetëm për profesionalizmin e shfaqur, por dhe për pjekurinë dhe përgjegjësinë e lartë politike për të respektuar aktet ndërkombetare, si pikënisje të një marreveshjeje të tillë.
Mbas një lufte të vërtetë nervash, pala shqiptare kërkoi arësyet e qarta dhe të vërteta se përse pala greke nuk dëshironte të përmendej dokumenti bazë i kufirit shqiptaro- grek, ai i Protokollit të Firences, i cili përmban koordinatat e përcaktuara e të detyruara ndërkombëtarisht.
Kryenegociatori i palës greke na dëshmoi se “nuk mund ta vëmë këtë emërtese apo t’i referohemi koordinatave që kanë përcaktuar ndërkombëtaret për kufirin shqiptaro-grek”, mbasi siç pohoi ai “do të kritikohemi nga qarqet ekstremiste dhe nacionaliste greke, të cilët nuk e njohin Protokollin e Firences dhe vijën kufitare që ekziston midis nesh...” “Po të citojmë këtë dokument – vazhdoi më tej ai - do të na kritikojë opinioni i brendshëm publik për shitje të interesave kombëtare greke. Prandaj na kuptoni se jemi në pozitë të vështirë dhe duhet ta anashkalojmë këtë gjë, duke proceduar direkt në terren atje ku mungojnë piramidat apo duke riparuar të dëmtuarat në vend sipas hartave që kemi (nënkupto “hartat greke” si në rastin e ujërave-Shënimi im) dhe vijës egzistuese reale“.
Kjo ishte skandaloze. Përgjigja jonë ishte e prerë e pa ekuivoke: “Ne nuk jemi këtu si përfaqësues të shoqatave apo qarqeve nacionaliste, por përfaqesuesit zyrtarë dhe seriozë të dy vëndeve, të cilat duhet të respektojnë dokumentacionin ndërkombëtar të kufirit që na e kanë përcaktuar ndërkombëtarët në Protokollin e Firences dhe që në jemi të detyruar ndërkombëtarisht ta respektojmë pikë për pikë, për çdo gjë që lidhet me punime në këtë vijë kufitare, duam apo nuk duam ne. Prandaj ne e kundërshtojmë si jo realiste dhe distancohemi nga ky deklarim grek i papranueshëm mbasi edhe në Shqiperi ka njerëz që e kërkojnë kufirin etnik në Artë e Prevezë, por ne nuk jemi përfaqësues të tyre në këtë rast, por të shtetit shqiptar. Në se dëshironi të respektojmë aktet nderkombetare, le të firmosim kështu siç kërkohet ndërkombëtarisht; në të kundërtën, ne nuk jemi dakord dhe do të ndërpresim bisedimet...”.
Para kësaj situate në dukje kaotike, por në thelb të llogaritur, pala greke kërkoi pushim dhe pasi mori udhëzime nga qëndra, pranoi formulimin të ekspertëve shqiptarë në përputhje me marreveshjet dhe dokumentacionin ndërkombëtar që ekziston për të dy vëndet për vijën kufitare tokësore.
Tash nuk kam dijeni sesi ka ecur më tej kjo marrëveshje, por ajo që ka rëndësi është se negociatorët grekë duhet të jenë më të hapur dhe pa paragjykime, sepse mesa e njoh pozicionin shqiptar, ai ka qënë gjithmonë i tillë: i sinqertë, pa paragjykime dhe i mbështetur në interesa përfitimi reciprok, pa shkelur aktet ndërkombëtare.
Si një vend demokratik, aleat në NATO dhe anëtar i rëndësishëm i bashkësisë ndërkombëtare, Greqia duhet të japë mesazhe të respektimit të akteve nderkombetare dhe të luftojë konceptet anakronike e të prapambetura që ende shfaqen në kokat e ushtarakëve apo disa ekspertëve të politikës së jashtme greke. Ajo duhet të mos u bëjë presion shqiptarëve për lidhje marrëveshjesh të pabarabarta, të padrejta dhe të njëanshme, dhe që nuk përmirësojnë marrëdhëniet dypalëshe midis vëndeve dhe popujve tanë të lashtë dhe fqinjë historikë. Qeveritë greke kanë një vënd dhe shtet të integruar ndërkombëtarisht dhe anëtar të BE-se, prandaj nuk ka përse të ngucin qeveritë shqiptare duke i vënë ato në pozita të vështira e që madje bien ndesh me interesat e popullit dhe vëndit të vet.
E ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-greke ka një rrugë të vetme: atë të përmirësimit mbi bazën e barazisë, interesit të ndërsjelltë dhe të reciprocitetit të sinqertë, dhe jo të mbështetur në hijet e dyshimit, të mendësive anakronike të shekullit të XIX-të apo të shovinizmave të verbër e të dalë boje
*Ish diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë në periudhën 1992-1997
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|