| |
Tirana e Oxhakut dhe e Pazarit të Vjetër Shkruan : Ben Andoni Xhamia e Kokonozit u zhduk për hir të Bashkisë së vjetër. Në fundin e viteve ’70, erdhi radha e saj që të shpërthehej, sepse duhej të ngrihej Muzeu i ri Kombëtar. Sot, Muzeut Kombëtar, rrezikon, që t’i brendashkruhet një qiellgërvishtës, që t’ia humbasë fare namin e nishanin...
Pak a shumë kështu ka ndodhur me Tiranën e sotme, ku tymi i makinave, pluhuri i ndërtimeve të pallateve me të gjithë format e mundshme, kaosit- na ka pushtuar kudo. Për fat, kanë shpëtuar me një sakrificë të madhe dy akset e Rrugëve të Durrësit dhe Kavajës dhe padyshim mrekullia e arkitektit Gherardo Bosio, Bulevardi i madh me godinat e ministrive. Këtu ka qenë e gjithë skena politike shqiptare e 20 viteve të fundit me procesionet qesharake të mbështetësve partikë, që kanë baritur sa nga njëra anë në drejtim të tjetrës udhë.
Duhet thënë fatkeqësisht se për Tiranën: Lufta e Dytë Botërore, socializmi dhe tranzicioni u dha dorë urbanistëve që erdhën që pas mesit të viteve ’40, të shfrenin frikshëm mendjen e tyre. Por, kjo “Katedrale në shkretëtirë” si e quanin skeptikët italianë atë që po bëhej nga urbanistët e tyre në kryeqytetin e shqiptarëve, ishte e tillë. Tirana, deri më atëherë, të gjithë toponiminë e saj e kishte të ndërtuar thjesht nga mbiemrat e fiseve, xhamive dhe varrezave. Ndaj, një nga pak vendimet më largpamëse të qeverive jetë-vogla shqiptare, të pas viteve ‘20 mund të quhet ai që lidhej me shpërnguljen e gjithë varrezave nga qyteti. Tirana e atëhershme ishte pak a shumë si Sarajeva e vitit 1995. Duhet të gjeje rrugën drejt banesave vetëm duke përshkruar mes varrezave të Et’hem Beut, Karapicëve, Sulejman Pashës, Varrit të Bamit dhe atyre që ishin atje ku më vonë do ngrihej Shkolla “Sami Frashëri” dhe Gjimnazi “Partizani”... Madje, deri në zonën e qendrës, atje ku dikur ishte p.sh. kazerma dhe burgu i Turqisë, që u kthye në gjimnazin “Skënderbe”, bash në zonën ku është sot Dhoma e Tregtisë dhe ajo si pronë shtetërore, përreth kishte të tilla syresh. Në këtë vend do jetë një pastiçeri e madhe, por vendi do të ruajë emrin gjithëpërfshirës: Te Banka, për nder të godinës së mrekullueshme të Bankës së Shqipërisë. Pak metra pas saj, Rrugica e çamëve, ku mblidhen të gjithë banorët e ardhur në kohët e reja dhe sot tregu popullor i qytetit, jo vetëm nuk do e eklipsojë, por do qëndrojë gjithmonë në hije të saj.
Tiranasit e pasluftës e gjetën qytetin e tyre të pastër nga kjo anë, por me gërmadha dhe me hapësira të tëra boshe, që duhet t’i përshtatin për qëllimet e tyre. Dhe, i përshtatën tejet shëmtuar. Për fat, mbetën banesat që italianët i ndërtuan për qytetarët e tyre dhe të gjithë infrastrukturën e tyre të pushtimit. Me erën e tyre ka filluar projektimi i Tiranës së Re. Pallatet e Lanës, ato të Aviacionit dhe Moskatet ishin sfida e tyre, që shqiptarët nuk do t’i afrohen dot prej kohësh. Pak më tej, ishte pallati i një inxhinieri italian, që më vonë do ishte rezidenca kryesore e Enver Hoxhës.
Në anën e kundërt të Lanës, që meandronte jo si sot, gjendeshin Shallvaret dhe pas ndërtimeve monolite ruse ky emër do mbesë sërish i pandryshuar dhe vital prej fushës së famshme ku janë bërë ndeshjet e para të Tiranës.
Shqipëria e socializmit
Por, Tirana e vërtetë është dhe mbetet për shumë kohë ish-Zona e Xhamisë së Sulejman pashës dhe Kalasë së Tiranës, ku pulsonte e gjithë gjallëria e qytetit. Ndërsa, kanë filluar të ndërtohen banesa me kontribut vullnetar ngado, kjo pjesë nuk preket. Janë hapur akse të tjera rruge. Por, xhamia e fiksuar në pikturën e famshme të Edward Lear fatkeqësisht s’është më. Të mendosh, e ndërtuar në shekullin e XVII do jepte shpirt vetëm tre ditë para çlirimit të Tiranës më 14 Nëntor të vitit 1944. Kjo faltore, që njihej si Xhamia e Vjetër, pas ndërtimit të Xhamisë së Ethem beut, që kishte prapa saj edhe vetë tyrben e Sulejman pashës, nuk do ringrihej më. Për herë të fundit është fiksuar nga një fotograf i vjetër, që do vdiste vetëm pak vjet më parë. Përfundimisht, aty zuri vend një punë e Andrea Manos, monumenti i “Partizanit të Panjohur”, toponimi që ruhet dhe sot dhe është bërë vendi i grumbullimit të të papunëve të Demokracisë. Në vitet që do të vijonin, në këtë vend filloi rreshti i Pallateve, që do njiheshin me emrin e “Kinema Partizanit”, për shkak se në hyrjen e njërit prej tyre do ishte kinemaja me këtë emër. Ndodhej fill pas Monumentit dhe në vitet e para të demokracisë- Kinemaja më e mirë e qytetit u shndërrua në bingo dhe sot gati’ s’i dihet fare destinacioni. Përbri ishte një banjo publike, që edhe ajo nuk ekziston më. Ka mbetur gjallë vetëm roja i saj, një burrë i shkurtër i gjymtuar që e hasim shpesh rrugëve duke lypur. Përballë, por në largësi pak më tej ishin Tymi, klubi i famshëm i pijetarëve garipa të qytetit, ku dominonin fatorinot dhe zanatçinjtë, kuptohet pas ditëve të mira të punës. Tyrbja e Kapllan pashës ka shpëtuar dhe Pallati i madh i frikshëm, që po ndërtohet, e ka marrë nën mbrojtje gati me përdhunë. Aty ka qenë stacioni i Uzinës “Traktori”, stacion që lidhte njëkohësisht të gjithë pjesën e Shkozës dhe i jepte lidhje njërit prej rajoneve më industriale të vendit. Përballë, në vendin ku sot është një lulishte me pemë të venitura gjendet ndërtesa e Pallatit të Kulturës, gurin e parë të së cilës e vendosi vetë Hrushovi. Aty dikur mblidhej e gjithë rinia kryeqytetase, kuptohet më shumë të sapofejuarit dhe pjesa intelektuale, që ua mbante xhepi. Sot janë bingo, opera dhe mjedise të tjera. Jo shumë vite më parë, pas saj u hap një gropë, që u pagëzua me emrin e kosovarit Ajdin Sejdia, që mori në honin e tij të frikshëm paratë e më të kamurve të Tiranës, për një ide fantazmë.
Gati 100 metra më tutje para ishte “Vollga”, një nga vendet më luksi të Tiranës ku shërbehej në restorant dhe që i bënte disi hije klubeve gjyhnaqare, që ishin përreth dhe pak më tutje. Ajo u quajt kështu në kohën e viteve të arta me Rusinë dhe më vonë, kur mori fund miqësia me rusët, ajo u shndërrua pa emër, duke u rrënuar. Ngjitur këtu me selinë e PD-së është një godinë që i shërbeu fashistëve shqiptarë. Kësaj, s’i mbeti ndonjë histori. Përballë ishte Drini, nga emri i hotelit, një nga vendet e mira. Pas ndryshimit të destinacionit, Drini është kthyer në magazinë institucionesh. Në fund të rrugës ishte vendi që njihej si SATA. Kjo e fundit, ishte një nga toponimet më të vjetra të qytetit dhe lidhej me ish-agjencinë e dikurshme të udhëtimit në kohën e fashizmit. Në kohën e vona, ajo shërbente po si agjensi por për linjat ekstreme të vendit. Udhëtarët duhej të mbanin gjatë rrallë, sa të prinin biletat, që i shpinte në udhëtime shumë-orëshe. Pas Teatrit Kombëtar, që ishte fare pranë, i pandryshuar dhe sot, ishin në të majtë Toptanasit me ndërtesën e tyre karakteristike, që për pak kohë e gëzoi Instituti i Monumenteve dhe që sot pinjollët e kanë kthyer në mjedisin “Saraji”. Para saj, në pjesën e kalasë së qytetit, ndodhej Pallati i Pionierëve, një vend ku ka kaluar gati i gjithë brezi i 40-50-60 vjeçarëve të sotëm, në ndonjë nga degët artistike dhe sportive të atëhershëm. Pas lufte shërbeu si ndërtesa e Partisë Komuniste, ndërsa vite më pas, dhe si godina e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Rusi. Më nga lindja, por shumë më impozante është ajo që njihet me emrin ndërtesa e Akademisë. Aty u vendos dikur pas zhvendosjes nga Pallati fatkeq, që sot mban emrin Pallati i Kukullave, Parlamenti shqiptar dhe më pas edhe mbreti Zog deri më 1939. Përpara qëndronte parku i Namazgjasë, ndërsa në godinën që sot është Komiteti i të Përndjekurve Politikë, dikur Legata italiane, fillonte rruga e Elbasanit. Pikërisht në hyrje të kësaj lulishteje, më pas, në fund të viteve ’30, u vendos shtatorja e Gjeneral Telinit, kurse në kohën tonë busti i Qemal Stafës. Nëse do të takoje dikë, ai do të thoshte thjeshtë: Te Qemali. Ka pak ndërtesa më tej, por nëse do të kthehemi pas, pak qindra metra më tej është vendi që nuk ekziston i Pazarit të madh të Tiranës. Ndërtesa kryesore këtu ka qenë shtëpia e Kacelëve, një nga shtëpitë më impozante të Tiranës dikur. Kthehemi pak në kohë. Zhdukja e pazarit për të ndërtuar Pallatin e Madh të Kulturës do jetë një nga humbjet më të mëdha të kujtesës së qytetit. Por, vetëm se kur nuk dëgjohen më të rrahurat e çekanëve të bakërxhinjve dhe ulërimat e zejtarëve, midis ndërtesave anash rrugëve të këtij pazari oriental, të duket se sheh ende tiranas me kapelën pak të rrasur mbi sy, që mblidhen në tre shtëpi publike. Kuptohet që socializmi nuk do t’i lejojë më. Por, burrat e sotëm, që i takojmë për të na folur për qytetin të shpjegojnë sesi prostituohej në Kafe “Kursal”, në Hotel “Splendit”, kundrejt xhamisë së Sahatit, Hotel “Metropoli”. Pas mbetet sërish deri më sot tërheqës “Internacionali”, një godinë që pas disa duarve u bë shkollë. Burrat na tregojnë sesi mblidhen për të ndjekur miqtë sepse në anën tjetër në Rrugën e Kavajës është Gjimnazi Skandërbeg. Afër Streha Vorfnore dhe përballë Shtëpia e Dr. Osmanit. Në Qendër është edhe Hotel “Elbasani”, që do prishej. Këto janë kujtesë e pleqve. Pika më tërheqëse është pak qindra metra më tutje. Te Zogu i Zi është kafe “Vera”. Por, për emrin Zogu i Zi, pleqtë që këshillohem harxhojnë një kohë të mirë për të sqaruar së pari njëri-tjetrin. Prej një filmi hungarez, thotë dikush prej tyre-e ka emrin. Jo prej asaj, dhe u shkel syrin me çapkënllëk, të gjithë burrave të pranishëm.
Por, nuk është vetëm këtu Tirana. Ajo fillon e ndërtohet edhe në atë që do quhet Kombinati dhe ku mblidhen të gjithë ata që do punojnë në një nga ngrehinat më të mëdha të socializmit. Pak më parë, është Uzina Enver dhe pak më tej, në vendin ku janë ishte Kazermat e Ali Rizait, ngrihet Kombinati i Drurit “Misto Mame”.
Sërish pas
Por, nëse do të kthehesh në qendër nuk do harrosh 15 katëshin dhe pas tij Cenin, doktorin e famshëm popullor, që ka mjekuar gati të gjithë Tiranën dhe më tej. Pas është Kinema “Nacional”, që në ditët tona u quajt “17 nëntori” dhe që sot u prish pas një vendimi absurd të ndërtuesve kapitalistë.
Pak më anash do jetë vendi që në socializëm do bëhet për shumë kohë një vend pelegrinazhi. Është Dyqani “Flora”. Aty punoi për pak kohë Enver Hoxha dhe pas një largimi “tip 007”, që u bëri fashistëve, të paktën kështu pretendohet, dyqani i vogël do mbetej në histori. Tashmë është thjesht një gjelltore e mjerë, ku paçja kushton 150 lek dhe qoftet vetëm 20 lek. Ndërsa më tutje në aksin që të dërgon në shkollën “Sami Frashëri” është teqeja e famshme e Dervish Hatixhesë dhe një vakëf. Mbetet një vend pelegrinazhi i të gjithë femrave kryeqytetase të atëhershme dhe të sotme, për të gjetur prehje për sikletet shpirtërore. Më tutje akoma është stacioni i trenit të qytetit gati inekzistues, me trenat shumë të vjetër. Pak më tutje në drejtim, por tashmë në drejtim të spitaleve është vendi i njohur pas ndërtimeve parafabrikate, që njihet me emrin Restorant Durrësi. Ai u bë i njohur sidomos në fund të viteve ’80 për shkak të një grupi djemsh të fortë, që u munduan të prishin hierarkitë e forcës së djemve tiranas. Më tej shkohet në drejtim të godinës së spitaleve dhe vendit që do njihej me emrin e Shkollës së Bashkuar dhe Beksave. Aty u ndërtua një lagje e tërë e re, me të ardhurit e shumtë që populluan kryeqytetin, por sidomos me ushtarakët. Tutje, ajo që e ruajti toponiminë e vendasve, ishte Oxhaku.
“Tirana e sotme, i ngjan një balone që don me ik vetëm firifiu”, na thotë një nga tiranasit e vjetër, kur i kërkojmë shpjegime më tej për toponiminë popullore të qytetit. Fillon nga koha, kur Tirana ende s’ishte në planet urbanistike të askujt. “A zbresim nga Dajti”,-na thotë. Kur uleshe poshtë shkoje te fushat e mëdha të Caracave. Ishte prona të familjes së Kokonozëve dhe Tukve. Në të majtë sa ishin ngritur ngrehinat e spitaleve, kurse Oxhaku u bë në shërbim të kazermave dhe shkollës ushtarake që do bëheshin pas lufte. Te katër rrugët ishte Kafe “Bilbil”, pronë e Zyber Allës, mikut të Shyqyri Pezës. Matanë është ajo që do njihet më vonë si Farmacia 10”. Sot është bërë një dyqan Perdesh, por këdo që do të pyesësh do të përgjigjet njësoj: Te Farmacia 10. Aty kalon vija e madhe e ujit që hynte te Medreseja pak e dilte tutje drejt e në Laprakë. Medreseja u bë rreth viteve të para të 1900. “Më pas shkon te Kodra e Kuqe dhe tutje është Kazhina e Mishit. Është tutje Tiranës. S’kishte njeri andej dhe ndaj u bë thertorja që në kohët e para. Aty e mbajti dhe socializmi”, më thotë një plak, që s’më ka folur shumë. Duke zbritur pak poshtë, më afër është Selvia, një emër i mbetur prej një selvie vetmitare, që sot e kësaj dite i ka mbetur vetëm kreshta dhe që ka poshtë saj, një nga furrtarët më të vjetër të qytetit.
Tirana, kthim pas
E pas kësaj, dikur Tirana ishte katrahurë qejfi. Ajo ishte e mbushur me shtëpi publike e çingi. Pazari i vjetër, që ishte qendra e kryeqytetit, me pisllëkun e tij është një lloj turpi njerëzor. Hotel “Selanik”, që e administron një mulat do të rrafshohet nga komunistët për shkak të emrit të keq, për t’i lënë vendin MAPO-s industriale. Përballë do të ngrihet pallati i ideuar nga Maks Velo, që do t’i shtojë dhe një pikë modernizmi akuzave të tij. Është në formë kumbiste dhe krejt e veçantë. Aty do të banojnë Kadareja dhe Agolli. Ndërsa çapkënët do i thonë shpesh njëri-tjetrit: Jemi te këmbët e Elenës?!!
Por, tiranasit mbeten nostalgjikë për periudhën e para Luftës së Dytë. Në atë kohë, Tiranasit duket se gjejnë veten dhe kryeqyteti i kalon të paktën në qejf qytetet e traditës. Për ta bërë Tiranën më të afërt, Shtëpitë publike morën emrat e hoteleve si “Ferrara” (në afërsi të ish-radios së vjetër Tirana), Hotel “Stambolli” që ka për pronare një armene. Por, një pjesë tjetër, që nuk i frekuenton dot këto shfryhet në kafe ahengjesh me emra ekzotikë si Kafe “Bilbili” në rrugën e Varrit të Bamit, Kafe Dëfrim-Vera, që ndodhej atje ku sot është Pallati i Brigadave, një tjetër në ish-centralin elektrik “Sita” në Rrugën e Durrësit, e pak më poshtë edhe kafe-lulishte “Zorro”. Ka grupe dhe lokale të kumarit kudo, ndërsa vetëm në hyrjen e rrugës së Dibrës duke filluar nga sheshi Skënderbej kishte aq shumë lokale kumari, saqë mushterinjtë nuk ‘orientohen’ dot. Ishte kafe kumari ‘London’ me pronar Selitën, përkundrejt ishte ‘Berlini’, po lokal kumari. Në të hyrë të Rrugës së Dibrës të tjera lokale, që mbajnë emrat e pronarëve të njohur në kryeqytet ngatërrojnë njëra-tjetrën. Eshtë ajo e Dashit, Tomorrit, e Dem Xhepës, e Taqit, etj. Duket sikur zullumi ka marrë dhenë. Shqiptarët e kapur dalldihen nëpër kafene dhe megjithëse kumari dënohej, ajo luhej gati publikisht. Sejfi Vllamasi, një mik i Zogut më vonë armik i tij, kujton lojrat e bixhozit, por edhe sesi prishen lekët në atë kohë:”Bajram Curri midis parisë kosovare, citon ai Nexhip Dragën- është i vetmi nacionalist, por ka një të metë të madhe: shpenzon aq shumë para sa edhe financat e Britanisë së Madhe nuk do të mjaftojshin për t’u bërë ballë shpenzimeve të tij”.
...
Pas luftës në vitet ’50, një nga ndërtimet më interesante është ajo që do të kthehet në seli e Komitetit Qendror të PPSH, funksion që e mbajti deri në vitin 1991, vit pas së cilit u shndërrua në seli e Kuvendit. Ndërsa, në të djathtë, në disa fusha shumë të mira ku bën stërvitje “Studenti” ndërtohet Pallati i Kongreseve. Kjo është pjesa e fundit e Tiranës së re. Ajo do popullohej shpejt dhe aty do të ndërtohet edhe Blloku i famshëm. Ai do ta hapej përfundimisht një ditë korriku të vitit 1991 duke mos e shpëtuar luzmën e madhe të kryeqytetasve që shikonin të çmeritur një vend që nuk i ishin afruar dot kurrë. Në një cep të kësaj rruge, rreth viteve ’70, do të ndërtohet Libraria Universitare, që sot është kthyer në pikë shumice, për fatin e librave, ndërsa në një cep të saj shfrytëzohet edhe si farmaci. ...Në fund të rrugës është Garda e Republikës, që ende është një nga ekstremet e paprekura Tiranës. Por, deri te Liqeni Artificial, sepse Tirana ka kapërcyer andej...
Ky është një rrëfim me pak fjalë për Tiranën dhe historinë e saj të madhe të emrave urbanë...
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|