| |
Plani imagjinar i eurobondit shqiptar Shkruan : Ervin Qafmolla Bashkë me fillimin e vitit të ri 2010, qeverisë shqiptare tentoi të rizgjojë disa shpresa të rimëkëmbjes ekonomike. Të paktën në nivel publik. Një ndër tematikat e diskutuara lidhet me financimin e shpenzimeve të parashikuara për këtë vit. Por, për shkak të krizës ekonomike, tashmë të legalizuar nga ekzekutivi, para nuk ka e as parashikohet që të mblidhen mjaftueshëm gjatë vitit në vazhdim. Në këtë pikë, qeveria ëshë munduar në të gjitha mënyrat që të marrë para borxh, duke qenë sakaq e mbytur në borxhe. Borxhi publik i vendit ka arritur nivelin e 60% të PBB-së, çka në fakt, përfaqëson nivelin maksimal të huamarrjes për ekonomi si Shqipëria. E përkthyer në shifra, kjo do të thotë se aktualisht vendi ka borxh të jashtëm prej rreth 2 miliardë eurosh. Aktualisht, qeveria do të fillojë të kërkojë kredi më të lira këtë pranverë, në tregun ndërkombëtar për të rifinancuar një sasi borxhi tejet të shtrenjtë që mori gjatë 2009-ës për rrugën Durrës-Kukës, ndërkohë që kredimarrja e huaj shihet edhe si një mënyrë për të financuar deficitin buxhetor të programuar për këtë vit. Ndonëse Ministria e Financave e gjykon këtë plan jo vetëm si të realizueshëm, por dhe të leverdishëm, jo të gjithë bien dakord, madje identifikojnë edhe rreziqe.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani e ka intensifikuar shqetësimin në paraqitjet e tij publike mbi këtë çështje, kur ditët e fundit deklaroi se rritja e shpejtë e shpenzimeve dhe deficitit buxhetor gjatë vitit 2009 ka rritur më tej nivelin e borxhit publik, i cili vlerësohet rreth nivelit 58 për qind të PBB-së në fund të muajit nëntor. “Banka e Shqipërisë gjykon se orientimi i politikave të ardhshme buxhetore drejt konsolidimit fiskal, me qëllim reduktimin e borxhit publik, përbën tashmë një parakusht për stabilitetin makroekonomik në vend”, deklaroi guvernatori.
Por, pavarësisht shqetësimeve të të tretëve – ndër të cilët renditet edhe Banka e Shqipërisë – qeveria vazhdon të insistojë në gjetjen e rrugëve të huamarrjes për projektet e saj, kryesisht me karakter infrastrukturor, por edhe për shpenzime të tjera, siç janë pagat e pensionet. Në këtë moment, hyjnë në lojë auditorët ndërkombëtarë. Në muajin mars, pritet që Moody’s Investors Service – kompani që vlerëson dhe rendit qeveritë mbi aftësinë për të shlyer kredi sipas një shkalle standarde – pritet të japë vlerësimin e saj mbi aftësitë e qeverisë shqiptare, duke u bazuar në performancën e ekonomike të vitit 2009 për të përcaktuar nëse ia vlen që qeverisë shqiptare t’i jepet hua apo jo.
Duke qenë se viti 2009, ishte tejet i trazuar nga pikëpamja ekonomike, gjasat që vlerësimi të jetë pozitiv janë tejet të ulëta. Por, përballë nevojës emergjente për para dhe vullnetit për të përmbushur investimet e parashikuara, qeveria shqiptare ka që në vitin 2009 që po sheh për burime të tjera financimi.
Sytë nga eurobondet?
“Shërbimi i borxhit publik për vitin 2010 përbën një sfidë, ndaj jemi përgatitur që në pranverë, Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar për të financuar nevojat e vendit për para me një kosto shumë më të mirë”, tha ministri i Financave, Ridvan Bode, në mbyllje të vitit të shkuar, kur po prezantonte në parlamentin gjysmë-bosh, buxhetin e vitit 2010. Bode i referohej në fakt, futjes në lojë të një instrumenti të ri të huamarrjes për ekonominë shqiptare: Eurobondeve. Eurobondi është një titull borxhi me afat maturimi më shumë se një vit, që jep interes një herë në vit apo 2 herë, në varësi të marrëveshjeve. Quhen eurobonde sepse emetohen në euro. Zakonisht vendet që i emetojnë eurobondet duhet të përmbushin disa garanci, ndaj jo çdo vend arrin t’i emetojë. Në terma banalë, eurobondet shërbejnë që të merret kredi pa kolateral. Pra pa lënë diçka peng dhe pa vendosur klauzolat konvencionale që parashikojnë penalitete në rast të mosshlyerjes së kësteve të kredisë në kohë.
Në fakt, Shqipëria tentoi të emetojë eurobonde edhe në vitin 2009, kur kërkoi të marrë 250 milionë euro kredi për rrugën Durrës-Kukës. Duke qenë se u vlerësua e paaftë për të emetuar eurobonde, plani i qeverisë u reduktua në një kredi sindikale nga bankat që treguan interes për t’i dhënë hua. Borxhi që u mor ishte më i vogël nga ai i parashikuar, vetëm 200 milionë euro, ndërsa kontrata e lidhur me institucionet huadhënëse parashikonte penalitete – siç është rritja e interesave për këstet vjetore – në rast se qeveria shqiptare dështonte në shlyerjen e kësteve në kohë, apo në përmbushjen e detyrimeve të tjera. Një faktor që ndikoi në përmbysjen e planit të eurobondeve lidhet me destabilizimin e financave botërore për vitin 2009, çka e detyroi qeverinë të paguajë interesa borxhi prej 25 milionë eurosh në vit vetëm për kredinë prej 200 milionë eurosh që mori në maj të vitit të shkuar. Shpresa e qeverisë ishte që kredia me interes euribor plus 9.65 për qind të zëvendësohej me eurobonde që do të kushtonin dy herë më pak.
Por, pavarësisht disfatës së 2009-ës, ekzekutivi nuk ka hequr dorë nga plani i eurobondeve për të financuar shpenzimet. Stabilizimi i financave ndërkombëtare duket se lëshon një dritë shprese për suksesin e tentativës së sivjetshme. Por, ndërkaq mbetet për t’u zgjidhur aspekti i problemeve në ekonominë shqiptare.
Mungesa e stabilitetit ekonomik, parashikimi i BSH-së për një nivel të ulët investimesh dhe borxhet ekzistuese, pa folur më pas për krizën politike, paraqesin disavantazhe serioze lidhur me planin e eurobondeve.
Në rastin e dështimit...
Mbërritja e Moody’s në Shqipëri përbën një problem më shumë për qeverinë, sepse nëse raporti i marsit rezulton negativ, jo vetëm që rrëzohet një herë e mirë misioni gati i pamundur i emetimit të eurobondeve “Made in Albania”, por edhe kredia sindikale prej 200 milionë eurosh i Durrës-Kukësit rrezikon të shtrenjtohet. Kredia maturohet në vitin 2012, por qeveria ka shpresuar se tregu financiar ndërkombëtar do të stabilizohet dhe Shqipëria do të ketë mundësi ta zëvendësojë këtë kredi me eurobonde më të lira. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë e ka paralajmëruar qeverinë për nevojën për një plani rezervë për shlyerjen e kësaj kredie, në rast se emetimi i eurobondeve në pranverë të këtij viti do të dështojë. Kredia në fjalë ka një interes tepër të lartë prej euribor plus 9.65 për qind, por nëse Moody’s jep vlerësim negativ, jo vetëm që nuk mund të shlyhet me eurobonde, por rritet automatikisht në nivelin euribor plus 10.65 për qind. Interesat që qeveria paguan për borxhin publik pritet të kërcejnë në 43.6 miliardë lekë, (330 milionë euro ose 473 milionë dollarë) për vitin 2010, një rritje me 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Interesat e borxhit të jashtëm pritet të rriten me 46 për qind veçanërisht për shkak të kredisë sindikale të tërhequr para zgjedhjeve të 2009-ës.
Gjithashtu, Ministria e Financave ka parashikuar një deficit prej afro 50 miliardë lekësh (rreth 540 milionë dollarë) për këtë vit. Sakaq ka zëra se buxheti 2010 do të ulet me 10%, por në komisionet parlamentare nuk ka mbërritur ende asnjë material lidhur me këtë çështje, çka do të thotë se buxheti aktual mbetet në fuqi e bashkë me të edhe deficiti 50 miliardësh. Këtë të fundit, Ministria e Financave ka parashikuar ta financojë përmes marrjes së borxheve, por në kushtet aktuale të tregut financiar në Shqipëri, emetimi i një sasie të tillë borxhi ngjan një operacion i vështirë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, pothuajse 100 për qind e depozitave të shqiptarëve nëpër banka janë përdorur për të kredituar qeverinë apo biznesin, gjë që e bën të vështirë për sistemin bankar të blejë borxh të ri. Për këtë arsye, qeveria ka planifikuar të emetojë eurobonde për t’i shitur në tregun ndërkombëtar, por diçka e tillë, në rastin më të mirë, ka thjesht shumë pak gjasa që të ndodhë.
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|