| |
Me sytë nga kuleta e emigrantit Shkruan : Ervin Qafmolla Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani tingëllonte më i shqetësuar se kurrë këtë të enjte, kur përballë shefit të misionit të FMN-së për Shqipërinë Gerwin Bell, deklaroi se qeveria shqiptare duhet medoemos që të punojë për të shlyer borxhin ekzistues dhe të mos krijojë një borxh të ri. Në fjalimin, i cili ishte pa dyshim përmbante ndër paralajmërimet më të drejtpërdrejta që ai ka lëshuar ndonjëherë në drejtim të ekzekutivit, megjithatë, guvernatori pranoi se gjasat që borxhi publik të mos vazhdonte të rritej ishin shumë të vogla. “Në kushtet aktuale, kur rritja e mëtejshme e borxhit është një ngjarje me probabilitet të lartë ndodhjeje, politikat për të mbështetur ekonominë me shpenzime është e kufizuar nga pamundësia e ekonomisë për të gjeneruar rritje ekonomike”.
Por ajo që guvernatori nuk përmendi – dhe që ndoshta nuk kishte as pse – lidhet me faktin se një nga motorët kryesorë të gjenerimit të të ardhurave e të rritjes ekonomike të vendit, në fakt ndodhet jashtë kufijve të tij. Emigrantët shqiptarë vazhdojnë të jenë ende spiranca e ankorimit të ekonomisë së vendit në tallazet e trazuara të krizës. Por jo dhe për shumë kohë. Kriza botërore po i lë emigrantët pa punë dhe rrjedhimisht ata po sjellin më pak valutë në shtëpi. Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, emigrantët sollën 394 milionë euro gjatë gjysmës së parë të këtij viti, me rënie 6.1 për qind kundrejt gjysmës së parë të vitit 2008. Ndërsa, për nëntëmujorin janar-shtator 2009, të ardhurat nga emigracioni qenë 581 milionë euro, kundrejt 619 milionë euro për të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo përbën një rënie të remitancave në nivelin 6.2 për qind. Ky është në fakt, niveli më i ulët i të ardhurave nga emigrantët në vlerë absolute që nga viti 2006.
Por sa ndikim kanë vërtet paratë e emigrantëve në ekonomi dhe sa keq mund të shkojë situata? Në terma të thjeshtëzuar, duhet pasur parasysh se prurjet e parave nga emigracioni në vend janë në formë valute, kryesisht euro. Më pak valutë do të thotë më pak konsum dhe më pak konsum do të thotë më pak importe. Duke qenë se vendi nuk shquhet për kapacitete të qenësishme prodhimi, qeveria shqiptare “jeton” duke taksuar importet, të cilat sigurojnë 70 për qind të buxhetit të shtetit. Me rënien e importeve, rrjedhimisht situata po kthehet në një spirale për poshtë. Në fakt, muaji janar shënoi një rënie të importeve dhe situata nuk pritet të tregojë ndonjë përmirësim në muajt që vijnë. Për më tepër edhe tabloja e vitit të kaluar jep referenca të pakëndshme për të kuptuar diçka më shumë mbi të ardhmen e afër të këtij viti. Gjatë 2009-ës, qeveria shpenzoi vitin më shumë para si shpenzime korrente nga sa mblodhi të ardhura tatimore. Si rrjedhojë, duke marrë parasysh tatëpjetën e treguesve të tjerë të ekonomisë në këta muaj të parë të 2010-ës, ose do të ndodhë ndonjë rritje e remitancave, dhe si rrjedhojë edhe e konsumit/importeve dhe të ardhurave buxhetore ose vendi do të shkojë gremiset në humnera si të Greqisë, në mos ca më keq.
Mynxyra greke
Dh duke folur për krahasime me Greqinë, në fakt nuk mund të shpërfillet roli që luan në dramën ekonomike shqiptare tragjedia helene që luhet matanë kufijve. “Shumica e remitancave vjen nga emigrantët tanë në Greqi”, thotë Adriatik Kotorri, pedagog i Financave në Universitetin e Tiranës, “ndaj kriza greke është një kambanë alarmi për ekonominë tonë”. Ai shpjegon se përkeqësimi i ekonomisë greke do të ketë një ndikim të padiskutueshëm te të ardhurat e emigrantëve shqiptarë që punojnë atje dhe si rrjedhojë, do të preken në tërësi remitancat që hyjnë në vend. “Mbi të gjitha, kjo do të thotë më pak valutë”, thekson Kotorri.
Sipas Institutit të Statistikave, llogaritet që vetëm në dy vendet fqinje, Greqi dhe Itali, të ketë respektivisht më pak se 600 mijë emigrantë në shtetin helen dhe rreth 300 mijë emigrantë në vendin përtej Adriatikut. Kjo do të thotë se kriza ekonomike në Greqi ka gjasa të ketë një peshë thelbësore në përkeqësimin e krizës në Shqipëri. Ndërkaq, shifrat e remitancave kanë performuar mjaftueshëm keq edhe pa ndihmën e krizës greke. Në tri vitet e fundit, remitancat kanë ndjekur një prirje të qartë rënëse nga 14.6 për qind të PBB-së që ishin në vitin 2005, në rreth 10.6 për qind në vitin 2008. Në terma vjetorë, në vitin 2008 remitancat shënuan një rënie prej rreth 6 për qind kundrejt vitit 2007. Ndërsa, për nëntëmujorin janar-shtator 2009, të ardhurat nga emigracioni qenë 581 milionë euro, kundrejt 619 milionë euro të një viti më parë. Nëse kësaj prirjeje i shtohet edhe kriza greke, tabloja e pritshme e së ardhmes së afërt merr ngjyrime tejet të zymta.
Përkeqësimi i ekonomisë fqinje është reflektuar tashmë te bilanci tregtar, i cili përbën një indikator që matet me lehtësi më të madhe dhe më shpejt se të ardhurat nga emigracioni. Sipas INSTAT, eksportet shqiptare drejt Greqisë u goditën më rëndë nga kriza se sa të gjitha eksportet e vendit drejt botës për vitin 2009. Gjatë vitit 2009, Greqia bleu në Shqipëri 7.6 miliardë lekë mallra, ndërkohë që një vit më parë pati blerë 9.9 miliardë lekë, me një rënie prej 23 për qind.
Rritje ekonomike pa emigrantët?
Ekonomia shqiptare funksion sipas një cikli të mbyllur dhe tërësisht të pasigurt që në terma banalë mund të ilustrohet duke thënë se me eurot që emigrantët sjellin në vend, pjesa tjetër e shqiptarëve që ndodhen brenda kufijve blejnë mallra në Bashkimin Europian. Për më tepër, kjo rrymë valute kontribuon në uljen e deficitit të llogarisë korrekte si dhe shtyn rritjen ekonomike të vendit. Të paktën deri më sot. Por a mund të ketë rritje ekonomike pa ndërhyrjen e emigrantëve? Për më tepër, mund të ndodhë diçka e tillë kur vendi është në krizë dhe vetë pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë ndodhen gjithashtu në vende të zhytura në krizë? Pyetjet kanë karakter retorik...
Sipas Bankës Botërore, varfëria dhe tregues të tjerë ekonomikë dhe socialë në Shqipëri janë përmirësuar ndjeshëm gjatë periudhës 2002-2005 nga kontributi i emigrantëve. BB vëren se ka pasur një reduktim masiv të varfërisë për periudhën në fjalë. Ajo pjesë e popullsisë, konsumi real i së cilës për person/muaj në një shumë që vlerësohet nën 501 dollarë u ul nga 25.4 për qind në vitin 2002 në 18.5 për qind në 2005-ën. “Kjo do të thotë se afërsisht 235 000 nga rreth 800 000 të varfër të llogaritur në 2002-in, dolën nga varfëria”, thuhet në raport, ku një pjesë e mirë e meritave për këtë u atribuohet emigrantëve. Ndërsa, popullata ekstremist e varfër ku bëjnë pjesë ata persona që nuk janë të aftë të sigurojnë më shumë se 31 dollarë për muaj për person, u pakësua nga 5 për qind në 3.5 për qind e popullsisë.
Në mungesë të remitancave...
Nëse remitancat nga emigracioni nuk shënojnë përmirësim punët mund të shkojnë vërtet keq. Vendi ndodhet i mbytur në borxhe pranë nivelit 60% të PBB-së, ndërsa në një takim konfidencial të zhvilluar këtë javë nga zyrtarë të Bankës së Shqipërisë me përfaqësues të FMN-së e zyrtarë të Ministrisë së Financave, burime të “MAPO”-s thanë se nga BSH ishte theksuar domosdoshmëria e uljes së borxhit në nivelin 50% të PBB-së, çka ka shumë pak gjasa të ndodhë. Ndërkaq, qeveria paraqitet pa të ardhura dhe synon t’i mbushë mungesat duke parë të gjitha mundësitë për të marrë sërish hua. Nga ana tjetër, nëse qeveria do të kryente një ulje drastike të shpenzimeve, do të kishte një tkurrje të mëtejshme të ekonomisë, çka do të sillte edhe më pak të ardhura në arkën e shtetit.
Por, pa valutë që vjen nga jashtë vendit në formën e serumit për ekonominë, borxhi ekzistues dhe ai që mund t’i shtohet në të ardhmen e afërt ka gjasa të krijojë probleme të rënda në ekonomi, aq më tepër kur qeveria duket nuk ka asnjë burim alternativ të ardhurash. Ministria e Financave ka parashikuar një deficit prej afro 50 miliardë lekësh (rreth 540 milionë dollarë) për vitin 2010, shifër kjo që mund të ndryshojë shumë shpejt në mos ka ndryshuar sakaq.
“Shërbimi i borxhit publik për vitin 2010 përbën një sfidë, ndaj jemi përgatitur që në pranverë, Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar për të financuar nevojat e vendit për para me një kosto shumë më të mirë”. Kjo ishte deklarata e ministrit të Financave, Ridvan Bode, në mbyllje të vitit të shkuar, kur po prezantonte në parlament buxhetin e vitit 2010. Buxheti në fjalë është sërish në rishikim e sipër, ndërsa borxhi publik ka gjasa të vazhdojë të rritet – skenar i pranuar si shumë i mundshëm edhe nga Banka e Shqipërisë – si pasojë ambicieve të qeverisë për të marrë më shumë hua, kryesisht për projekte të reja infrastrukturore. Ndërkaq, vazhdon të flitet për hedhjen në treg të eurobondeve, si një instrument për të financuar borxhin ekzistues të rrugës Durrës-Kukës.
Në fakt, Shqipëria tentoi të emetojë eurobonde edhe në vitin 2009, kur kërkoi të marrë 250 milionë euro kredi për rrugën Durrës-Kukës. Duke qenë se u vlerësua e paaftë për të emetuar eurobonde, plani i qeverisë u reduktua në një kredi sindikale nga bankat që treguan interes për t’i dhënë hua. Borxhi që u mor ishte më i vogël nga ai i parashikuar, vetëm 200 milionë euro, ndërsa kontrata e lidhur me institucionet huadhënëse parashikonte penalitete – siç është rritja e interesave për këstet vjetore – në rast se qeveria shqiptare dështonte në shlyerjen e kësteve në kohë, apo në përmbushjen e detyrimeve të tjera. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, pothuajse 100 për qind e depozitave të shqiptarëve nëpër banka janë përdorur për të kredituar qeverinë apo biznesin, çka e bën të vështirë për sistemin bankar të blejë borxh të ri.
Këtë muaj pritet që Moody’s Investors Service – kompani që vlerëson dhe rendit qeveritë mbi aftësinë për të shlyer kredi sipas një shkalle standarde – të japë vlerësimin e saj mbi aftësitë e qeverisë shqiptare. Në pak fjalë, mund të thuhet se do të vlerësojë performancën e ekonomike të vitit 2009 për të nxjerrë konkluzionet përkatëse. Duke marrë parasysh se çka ndodhur në vitin 2009, gjasat janë që kur firma të përcaktojë aftësinë shlyese të borxheve, Shqipëria mund te klasifikohet si C1 nga B1 që klasifikohet aktualisht. Kjo do të thotë se vendi mund të mos jetë më në gjendje të marrë borxh për vitin 2010.
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|