| |
Pasojat e një precedenti Shkruan : Sokol Balla Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mori një vendim të rëndësishëm këtë javë, duke e quajtur legal dhe të justifikuar aktin e shpalljes në mënyrë të njëanshme të pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008. Vendimi u festua në të gjitha trevat shqiptare dhe jo vetëm. Ishte në një farë mënyre si njohja e pavarësisë së shtetit shqiptar, vërtet e shpallur në 28 nëntor 1912, por e njohur vetëm dy vjet më vonë nga Fuqitë e Mëdha. Sigurisht që kjo ishte një fitore e madhe në rang kombëtar si dhe në planin e rivalitetit tonë me serbët.
Këta të fundit ishin investuar kaq shumë në këtë vendim të pritur me ankth, Saqë në opinionin public serb qeveria kishte krijuar idenë se vendimi do të ishte kundër pavarësisë. Por nuk ndodhi kështu. 10 me 4 në favor të Kosovës, gjykatësit ndërkombëtar kështu thjesht konfirmuan vullnetin e mbi 60 vendeve që njohën pavarësinë dhe shtatë nga nëntë fuqitë e mëdha, që investuan dhe vunë bast në mars të vitit 1999, kur vendosën të ndërhyjnë ushtarakisht në territorin e ish-Jugosllavisë.
Për mua vendimi i Gjykatës nuk ishte i papritur. Nuk prisja që investimi dhe basti i madh anglo-amerikan, të merrte goditje nga kjo gjykatë, e cila mbetet gjithsesi në suazën e OKB. Tashmë ndoshta një rezolutë e re pritet të kalojë, për të zëvendësuar 1244 e famshme, e cila gjithsesi është pak ambigue në vlerësimin e mëvetësisë së plotë të Kosovës.
Por gjithsesi duhet të jemi të vëmendshëm se çfarë ndodh pas këtij vendimi. Shikoni si e njoftoi lajmin të enjten në mbrëmje CNN: “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mori sot një vendim controversial lidhur me pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme nga Kosova gati dy vjet më parë… një vendim i cili mund të ridimensionojë pozicionin e gjithë lëvizjeve separatiste në gjithë botën…”
Pra CNN e quajti pavarësinë e Kosovës aktin e fundit të një lëvizjeje separatiste, dhe jo aktin e fundit të korigjimit të një padrejtësie të historisë. Këtu qëndron ndryshimi mes fjalorit të mediave botërore, ose të mbiquajturat news mainstream dhe fjalorit tonë kombëtar të komunikimit. Duhet të jemi të kujdesshëm sepse për mirë ose për keq, ka më shumë peshë ajo që thotë CNN, sesa RTK, TCH apo RTSH.
Duhet të kemi kujdes se gjithsesi harta e Ballkanit, përderisa vendet e tij nuk janë integruar të gjitha në BE, duket nuk ka përfunduar akoma dhe hijet e ndryshimit të kufijve do të qëndrojnë aty, jo si fantazma të së shkuarës por si paralajmërime të së tashmes. Do të jap dy shembuj, pa marrë parasysh keqkuptimet që mund të ngjallin. Kjo sepse mendoj se detyra e atyre që bëjnë opinion është të paralajmërojnë atë që të tjerët nuk e shohin, apo nuk duan ta shohin, ose të thonë atë që shumica nuk e thotë dot, apo refuzon ta thotë.
Bota perëndimore, sidomos në gjyqësor, vepron me precedent. Sigurisht që vendimi i GJND është historik. Edhe për faktin ama, se hap një precedent të ri. Pikërisht atë që paralajmëroi CNN (mbi pozicionin e lëvizjeve separatiste në të gjithë botën). Nëse sheh hartën aktuale të Shqipërisë dhe Kosovës, janë një problem akut dhe një tjetër, i cili sponsorizohet në heshtje prej dy dekadash nga një vend fqinjë. i pari akut është veriu i Mitrovicës. Sigurisht që vendimi i GJND nënkupton paprekshmërinë e territorialitetit të Kosovës, por gjithashtu ky vendim, quan legjitim vullnetin absolut të shumicës së një popullsie që jeton në një territor të caktuar, për të shpallur shkëputjen nga territorialitet më i madh shtetëror.
Problem tjetër më i heshtur por jo më pak i rrezikshëm është i ashtuquajturi “VorioEpir”. Këtu prej dy dekadash lobet greke investojnë financiarisht dhe politikisht në qeveritë e Tiranës por edhe pushtetin lokal e deri te pagesat e pensioneve, që kjo zonë në jug të Shqipërisë të mos marrë të njëjtin zhvillim si pjesa tjetër e vendit. Që të mos ketë rrugë dhe autostrada si ato që po ndërtohen në veri apo edhe në perëndim. Deri në Vlorë ama. Që turizmi në këto zona të mos unifikohet me pjesën tjetër të vendit.
Çfarë ndodh e zëmë, nëse zërat që qarkullojnë për autonomira kulturore të Himarës, pas një regjistrimi të popullsisë mbi baza etnike e fetare, siç ka premtuar qeveria e Berishës në vitin 2011, nuk përfundon si padi apo kërkesë në GJND në formën e një peticioni nga “grekët” e shumtë që do të dalin pas këtij regjistrimi?
Dhe çështja është si do të mbrohej Shqipëria në GJND për këtë cështje, apo qeveria e Kosovës për Mitrovicën? Tirana u bë zyrtarisht palë në procesin e Kosovës duke dalë kundër padisë së Serbisë, Spanjës, Rumanisë. Tani ka ardhur koha të mendojmë edhe strategjinë dalëse nga e keqja që mund të burojë prej precedentin e krijuar nga vendimi për Kosovën.
Para se të më kritikoni, më lejoni tju them, se nëse ndodh, mos më thoni pastaj, se nuk jua kisha thënë. Po huazoj pak këtu fjalorin e Faik Konicës. Ndoshta vdiq i keqkuptuar, por sot paralajmërimet e tij janë akoma me vlerë. Në botën e komplikuar të precedentëve ku jetojmë, mirë është të fillojmë të mendojmë sesi mund të dalim nga një valle ku hymë lehtë, me ndihmën e Fuqive të Mëdha. Por këto fuqi, në një shekull e ca, treguan se mund ta ndryshojnë lehtë qëndrimin e tyre. Sidomos ndaj të vegjelve si puna jonë.
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|