| |
Legjitimiteti i konfirmuar për shtetin e ri të Kosovës Shkruan : Agim Nesho Në datën 22 korrik Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha vendimin mbi kërkesën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Sesionin e 63-të të saj,e formuluar ne rezoluten63/3, kërkesë për një opinion këshillues për pyetjen “Është deklarata e njëanshme për pavarësi e Institucioneve të Përkohshme të Qeverisjes së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”
Pak histori.
Në fillimet e viteve 90-të , Federata Jugosllave filloi të shpërbëhej në një sërë shtetesh, proçes ky i vështirë dhe në shumë raste i zgjidhur nëpërmjet luftës. Në fillimet e viteve 90-të dukej dhe nga shumë specialistë mendohej që shpërbërja e Federatës do të fillonte nga Kosova, ku marrëdhëniet etnike ishin të tensionuara dhe ku dhuna ndaj qytetarëve të Kosovës shprehej hapur. Por ngjarjet rrodhën ndryshe. Kosova mbeti e fundit në proçesin e shpërbërjes së Federatës Jugosllove. Dhe kjo ndarje ndoshta do të ishte e vështirë nëqoftëse nuk do të kishte ndodhur katastrofa humanitare dhe genocidi i ushtruar nga qeveria e Milosheviçit ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare të Kosovës. Në v. 1999 fuqitë ndërkombëtare dhe NATO ndërhyri për të ndaluar spastrimin etnik në zemër të Europës, si një detyrim moral ndaj qytetërimit por edhe obligimit të tyre ndaj Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatës ndërkombëtare e cila ishte krijuar duke patur si qëllim kryesor “mospërsëritjen e genocidit ndaj popujve dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”.
Veprimi i NATO-s sigurisht krijoi premisat që Kosova të administrohej si një territor “nën kujdestarinë e OKB-së” dhe nën mbrojtjen e trupave të NATO-s. Ndërhyrja e NATO-s nuk gjeti që në fillim legjitimitetn e nevojshëm nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, por më vonë rezoluta e paraqitur nga Rusia për ndalimin e veprimit të NATO-s u hodh poshtë me 12 vota kundër dhe 3 vota pro, gjë që u intepretua si një konfirmim ligjor i veprimit të forcave të komunitetit ndërkombëtar. Në të njëjtën mbledhje të Këshillit të Sigurimit, Përfaqësuesi i Përhershëm i Sllovenisë, Presidenti aktual i Slovenisë, Prof. Danilo Türk deklaroi se“… edhe nëse veprimi i NATO-s nuk është i legjitimuar (Këshilli i Sigurimit) ky veprim është legjitim në mbrojtje të humanizmit dhe paqes.”
Veprimi i mëvonshëm i administratës së OKB-së në Kosovë u drejtua nga rezoluta 1244 (1999) e cila rregullonte marrëdhëniet me Kosovën. Kjo rezolutë nuk përmban asnjë garanci për integritetin territorial të Serbisë. Ajo përcaktonte një kornizë ligjore që nënkupton statusin neutral (the status-neutral framework of resolution 1244 (1999) - raport i Sekretarit të Përgjithshëm 10 qershor ’99) në të cilin njihet e drejta e popullit të Kosovës për vetvendosje (paragrafi 11 (e) i rezolutës) në respekt të Marrëveshjes së Rambujesë. Në v. 2006 Përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për statusin përfundimtar të Kosovës, Presidenti Martti Ahtisaari filloi negocimin dhe paraqiti në nëntor të v. 2006 “Propozimin Gjithëpërfshirës Përfundimtar për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, por serbët refuzuan të pranojnë këtë realitet.
Komuniteti ndërkombëtar, me anën e Komisionit tre-palësh, ndërmori raundin e fundit të negocimeve midis palëve në dhjetor të v. 2007 për të ezauruar gjithë mundësitë e mundshme, me propozimin e “statusit neutral” i cili nuk u pranua sërish nga pala serbe. Për të bërë të pamundur këtë bashkëpunim, Serbët vendosën në preambulën e Kushtetutës së tyre se Kosova është pjesë e Serbisë. Si rrjedhojë, më 17 shkurt 2007 Parlamenti i Kosovës shpalli pavarësinë, nëpërmjet një deklarate që garantonte një shtet të lirë, demokratik dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Që nga shpallja e pavarësisë deri më sot, Republika e Kosovës është njohur nga 69 shtete ndërkombëtare duke përfshirë SHBA-në dhe 23 shtete anëtare të Bashkimit Europian.
Pse Serbët e paraqitën çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë?
Për të shpjeguar më mirë arsyet e paraqitjes së çështjes nga serbët në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë i referohemi diskutimit të Përfaqësuesit të Përhershëm të Britanisë së Madhe në OKB, Ambasdori Sir John Sawers: “Pse, lind pyetja, ne ngremë dyshimin ndaj kërkesës së Serbisë? Arsyeja është se kërkesa e Serbisë bëhet kryesisht për çështje politike sesa për arsye ligjore. Ajo kërkon të ngadalësojë proçesin emergjent të njohjes së pavarësisë së Kosovës për të luajtur rolin e saj në institucionet ndërkombëtare. Shumë anëtarë të Kombeve të Bashkuara kanë shpallur pavarësinë e tyre në një kohë kur rrethanat nuk kanë qenë fort të qarta. Këto rrethana normalizohen me kalimin e kohës dhe ora e historisë ka pak shanse të kthehet mbrapa. Pavarësia e Kosovës është dhe do të mbetet një realitet. Qeveria e Serbisë duhet të vendosë sesi duhet ta pranojë këtë realitet”.
Sigurisht deklarata e Sir John Sowers në Asamblenë e Përgjithshme shpreh qartë motivet e këtij veprimi diplomatik të Qeverisë së Serbisë. Në themel të qëndrimit të Serbisë qëndrojnë këto shkaqe kryesore:
a) Serbia kërkon të shyjë njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e shtetit të ri në institucionet ndërkombëtare duke pritur që një situatë e ndryshme ndërkombëtare të rivlerësojë statusin e Kosovës në raportet ndërkombëtare (preçedenti i Saharasë Perëndimore e cila është njohur në fillim nga një numër i madh shtetesh dhe shumë pre tyre janë tërhequr nga qëndrimi i mëparshëm).
b) Të përdorë çështjen e Kosovës, për të përfituar avantazhe në proçesin e saj të integrimit europian
c) Të gjejë argumentin në vendimin e kësaj Gjykate për të pranuar që humbja e Kosovës nuk ishte rezultat i veprimit apo mosveprimit të klasës politike serbe por ishte një detyrim i përcaktuar nga faktori ndërkombëtar dhe i detyruar për tu pranuar prej tyre.
Me anë të këtij veprimi diplomatik politika serbe do të synojë që:
1. Të pengojë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, duke sensibilizuar shtetet e tjera që kanë preçedentë të njëjtë historikë, për ta përdorur mbrojtjen e kësaj çështje si një rrezik për çështjet nacionale që kërkojnë sot zgjidhje në botë.
2. Për të diskretituar, me aksion diplomatik, veprimin e shteteve kryesore te komunitetit ndërkombëtar, të cilët i zgjidhin problemet ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë në bazë të forcës së fuqisë dhe jo forcës së ligjit.
Duke ngritur këtë cështje në parim, Serbia kërkon të fitojë simpatinë dhe përkrahjen e shumë vendeve të botës së tretë dhe vendeve të paangazhuara, të cilët e shikojnë me skepticizëm imponimin në shumë raste nga fuqitë e mëdha demokratike të aksionit politik në dobi të paqes dhe stabilitetit në botë. Komuniteti ndërkombëtar për shumë kohë e ka trajtuar zgjidhjen e statusit të Kosovës si një rast të veçantë sui generis, si rast për zbatimin e disa normave të reja të së drejtës ndërkombëtare kur vërehen shkelje të të drejtave të njeriut, spastrim etnik apo genocid ndaj popujve të veçantë. Ky parim universal i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut tejkalon të drejtën e mbrojtjes së sovranitetit dhe tërësisë territoriale të shteteve. Konsiderimi i Kosovës si një rast i veçantë sui generis nuk është një shkak për ta përjashtuar atë nga gjykimi i së drejtës ndërkombëtare. Komuniteti ndërkombëtar e shikon Kosovën si një rast të veçantë të kombinimit të faktorëve historikë, faktual, institucional dhe ligjor në zhvillimet e njëzet viteve të fundit. Me Kosovën e trajtuar sui generis nënkuptohet që rasti i saj nuk mund të përdoret si një preçedent në dhënien e pavarësisë shteteve të tjera. Për komunitetin ndërkombëtar është shumë e rëndësishme që ky interpretim ligjor i statusit të Pavarësisë së Kosovës “të shikohet si një akt pozitiv dhe jo ndarës i shteteve të Ballkanit, të cilët janë futur në një udhë të pakthyeshme të integrimit europian. Realiteti i shtetit të ri të Kosovës duhet të pranohet dhe e ardhmja e rajonit të Ballkanit duhet të lidhet me idetë e reja të bashkëpunimit ndërmjet tyre, për të ndarë së bashku sfidat e mijëvjeçarit të ri.
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare.
Gjykata Ndërkombëtare u shpreh në vlerësimin e tre çështjeve kryesore.
Së pari, pavarësisht gjykimit të çështjes në vazhdimësi në Këshillit të Sigurimit, Gjykata shprehu vlefshmërinë e juridiksionit të saj për dhënien e një opinioni këshillimor Asamblesë ssë Përgjtihshme duke respektuar faktin që ky opinion do t’ju vlejë organeve kryesore të OKB-së në punën e tyre në vazhdim.
Së dyti, shpallja e pavarësisë së Kosovës është një akt i vlefshëm juridik i cili nuk ka shkelur Rezolutën 1244 (1999) dhe Kornizën Kushtetuese të Kosovës që rrjedh nga kjo rezolutë.
Së treti, deklarata e pavarësisë nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe është një akt i vlefshëm ligjor.
Konkluzione
Një nga ekspertët europianë, Anthony Dworkin, ka deklaruar për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si vijon: “Asgjë substanciale anti-ligjore nuk mund të gjesh në Deklaratën për Pavarësi, por kjo nuk do të thotë në vetvete që Kosova është një shtet legjitim”. Kjo dhe shumë shprehje të tilla në esencë reflektojnë dy elementë të rëndësishëm:
1. Së pari, Kosova e Pavarur është një realitet i pamohueshëm
2. Së dyti, lufta për të fituar legjitimitetin nuk fitohet vetëm me pranimin e këtij realiteti nga Serbia, por nga sfidat dhe angazhimet që ka shteti i ri i Kosovës për të ndërtuar një shtet të lirë, demokratik, që respekton minoritetet. Problemi i tensioneve etnike ne Mitrovicë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shteti i së drejtës e etj janë angazhimet primare të shtetit të ri të Kosovës.
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare është një ngjarje me rëndësi për komunitetin ndërkombëtar dhe për Kosovën. Është një sprovë që e bën më solid shtetin e ri të Kosovës.
Shtetet e reja kanë nevojë për një njohje dhe përkrahje ndërkombëtare, për një bashkëpunim të gjithanshëm dhe në çdo drejtim. Por, po aq e rëndësishme, është të provohet që Kosova e meriton pavarësinë e saj si një shtet me institucione të përkushtuara dhe me angazhim qytetar. Ndërtimi dhe përparimi i shtetit të ri janë përgjigja më e mirë ndaj nacionalistëve, skeptikëve dhe të gjithë atyre që për një shekull kanë shtypur dhe dhunuar të drejtat e shqiptarëve të cilët gjykohen se “nuk kanë aftësi shtetformuese”. Kosova e meriton këtë përkrahje që po i jep komuniteti ndërkombëtar dhe fitorja e kësaj beteje do ta bëjnë më të sigurtë për të fituar luftën e gjatë dhe të vështirë të ndërtimit të shtetit të ri.
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|