| |
Një mjeshtër, rikthen kulturën antike të mozaikëve Shkruan : Ben Andoni Arkeologu austriak Prashniker ishte i pari, që në vitet e para të shekullit të XX, la në shënimet e tij për Durrësin, evidencat për ekzistencën e mozaikut, që më vonë do të quhej konvencionalisht “Bukuroshja e Durrësit”. Askush s’mund ta identifikonte më në vitet që do të kalonin, derisa gati gjysmëshekulli më vonë, kolegu i tij shqiptar Vangjel Toçe do të zbulonte në lagjen Varosh të qytetit, mozaikun më të famshëm të shqiptarëve. Sot, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, ajo është një nga mrekullitë më të mëdha të kulturës materiale shqiptare. Por, më shumë akoma tregon se trualli i jetuar nga vendasit ka qenë shumë i lidhur dhe i dashuruar me mozaikët. Pikërisht, në një truall të tillë, që është gati si i virgjër sot, punon prej vitit 1985, Eduart Sinaj. Pa bujë. Me një punë shumë pasionante dhe me interesin e njëjtësimit të kësaj kulture të madhe me jetesën e tij, ai ka mundur të realizojë një studio model që realizon mozaikët e formave të ndryshme, të cilat aplikohen në mjedise të ndryshme dhe deri në banesa.
Edhe pse nuk është e lehtë, ai është profesioni i tij dhe më shumë akoma, mënyra e shprehje në art, të ish artistit të Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit (Q.R.V.A). Eduarti punoi për pak vite në sektorin e mozaikut nën drejtimin e Agim Nebiut, nga ku mori shtysën, për atë që do të krijonte vetë më vonë. Por kjo bukuri profesioni e ka dhe një vështirësi dhe një sfidë të madhe: Ajo lidhet direkt dhe përballet me nivelin e lartë të trashëguar të mozaikëve shqiptarë të periudhave të ndryshme historike. Jo shumë larg, po të kujtojmë tokën e mozaikëve, si është quajtur Bylisi, apo pak më larg Pogradeci me Linin e tij të mrekullueshëm, Apoloninë etj. E mbi të gjitha, pse jo dhe të fshehtat që ende fsheh nëntoka në këtë art dekorimi. Duhet ta ketë shumë të brendshme tërheqjen, Eduarti, sepse edhe ai sjell vetë imitime temash antike, por edhe përdorimin e shumë të tjerave të njohur në kujtesën e kësaj kulture, që i jep shtysë pastaj në krijimin e të rejave. Kjo e ka bërë studion jo vetëm shumë të kërkuar por edhe të vlerësuar. Dhe, këtë, Eduarti dhe stafi i tij, e zgjidh me një shërbim cilësor por më shumë akoma me një kulturë të madhe profesionale. Të paktën, gjithçka mund të prishet në këtë botë, por puna e duarve të tyre, e vendosur në mozaikët nuk mund të prishet kurrë. Dhe, duket sikur ky sy hyjnor, është sy mbi kritikën dhe mbi vetë ata që e kanë të largët këtë teknikë të jashtëzakonshme në artet vizive...
A do të thotë diçka për Ju- sensi që Shqipëria ka një traditë në këtë art dhe Ju punoni në kohët moderne pikërisht me Mozaikun?
“Është e qartë se Shqipëria ka një traditë shumë të pasur me mozaikë që nga Antikiteti që përfaqësohet me Mozaikun “Bukuroshja e Durrësit” dhe më vonë vazhdojnë mozaikët e Butrintit, Apolonisë, Linit të Pogradecit, Tiranës, Bylisit etj. Patjetër që këta mozaikë janë muza ime e përhershme. Dhe, më konkretisht: “Bukuroshen e Durrësit” e kam aplikuar në një ambient privat në Tiranë. Mundohem të aplikoj gjithmonë atje kur e gjej mirëkuptimin e klientit. Disa aspekte nga mozaikët e Butrintit dhe Apolonisë i kam përdorur edhe në Kisha Ortodokse si p.sh. në Bestrovë(Vlorë), Elbasan dhe Kuçovë”.
Cilat janë shijet e publikut shqiptar në përgjithësi?
“Shijet e publikut janë të larmishme por shumica parapëlqen dyshemetë me motive floreale dhe eometrike, me mermer shumëngjyrësh. Mund të them se janë të pakta mozaikët muralë që sigurisht janë një shkallë më lart, për shkak të materialit që përdoret (gurët xhami Venecian)”.
Cilat janë materialet kryesore që përdoren për tu punuar nga Ju?
“Materialet që përdoren kryesisht janë mermerë shumëngjyrëshe, që shumica vijnë nga jashtë, por së fundmi po hyjnë edhe disa mermerë shqiptarë. Kurse guri i xhamit Venecian ka një kualitet maksimal artistik”.
Kush është ndryshimi i materialeve të sotme me ato që përdoreshin në antikitet dhe më vonë?
”Ndryshimi në materialet që përdoren sot me ato të vjetrat është se në Antikitet përdoreshin gurët e zallit ose te lumit, më pas përdoreshin gurët e copëtuar me ngjyra në kuadrate 1cmx1cm,copa qeramike etj. Sigurisht fakti që këta mozaikë kanë arritur deri më sot tregon një cilësi të lartë. Nga ana tjetër edhe sot të paktën, kur unë flas për materialet që përdor në studion time, kujtoj se mermerët që përdoren janë të një cilësie të lartë dhe sigurisht veçohen gurët venecianë, që janë kualitete superiore”.
Kur keni filluar personalisht që të merreni me mozaikun?
“Unë kam filluar të punoj në realizimin e mozaikëve artistikë në maj te vitit 1985 me Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit (Q.R.V.A) në sektorin e mozaikut nën drejtimin e Agim Nebiut. Kam marrë pjesë në realizimin e shumë mozaikëve që janë realizuar në Shqipëri.
Por, Studio Sinaj ka lindur në vitin 1994 dhe punët e realizuara janë kudo në Shqipëri duke përmendur mozaikët e realizuar në gati 31 Kisha Orthodhokse dhe Katolike dhe dhjetëra mozaikë të realizuar në ambiente private. Kam realizuar dhe disa mozaikë në Itali, Bari, Salerno dhe Romë”.
A është e vështirë që të mbahet një studio e tillë në ditët tona?
“Për të thënë të vërtetën, sipërmarrja e një studioje të tillë është shumë e vështirë për shumë arsye, por unë jam munduar dhe vazhdoj që punët që dalin nga studio “Sinaj” të kenë shumë dashuri dhe përkushtim nga fillimi deri në fund te veprës. Shqiptarët e duan të bukurën, i duan mozaikët dhe unë përpiqem ti jap atyre vepra sa më të bukura dhe me kualitet të lartë. Kjo mendoj se është mënyra më e mirë për të menaxhuar një aktivitet të tillë”.
***
...Pak muaj më parë, publiku shqiptar do të ndërgjegjësohej për kulturën e mozaikut me veprën masive, e cila gjendet në ballinën e Muzeut Kombëtar Historik. Pesha e madhe e mesazhit të saj bëri që të ngrihej një valë e pafund debatesh ku morën pjesë historianë dhe politikanë. Në debat nuk ishin artistët. Kuptohet. Në këtë kohë, ku mbizotërojnë pseudot dhe njerëzit që vegjetojnë, për njerëzit e artit s’ka vend. Eduarti dhe kolegët e tij nuk patën ndonjë shqetësim të madh për këtë. I vetmi, por që duket se është edhe shqetësimi më kryesor i tyre, është një dhe i vetëm: Të realizojnë mozaikë sa më të përkryer dhe të mos humbasë një nga disiplinat më elitare të artit viziv. Por, ky mision s’është i lehtë. Ngaqë dhe porositë, për një art të tillë, nuk mund t’i kesh në tavolinë për çdo ditë, sepse kjo interpretohet nga shqiptarët ende si një luks i madh.
...Askush nuk e di reagimin e Prashniker, kur ka parë “Bukuroshen”, por Durrësi ka qenë një mrekulli për austriakun, që do të gjurmonte pak muaj më vonë relike të tëra antikash shqiptare në muzetë e Ballkanit dhe të vendeve të tjera. Për fatin e madh, qytetet shqiptare duhet të ruajnë ende pasuri të tilla, ndërsa artistë si Eduarti përpiqen që të kultivojnë një traditë në ndërtim, e cila duhet thënë se me gjithë punën e tyre nuk është se është shumë e prekshme. Anipse misioni i tyre s’ka marrë fund. Ai sapo ka filluar. Ai mendon se ka se çfarë të thotë në artin e tij dhe kjo s’është pak. Të paktën tani për tani, vazhdimi i një tradite të tillë, është një shenjë e mirë dhe për vendin, por edhe për pak individë si Eduarti dhe studioja e tij që krijojnë parrehtur. Këtë e tregojnë punët e tij në objekte të shumta dhe të pafundme guri brenda dhe jashtë vendit, por edhe në sensin sesi ai përpiqet dhe përpiqet...në një tokë jo më aq dashamire për mozaikët, si në atë të paraardhësve tanë.
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|