Revista Mapo
  E Enjte, 09 Shtator 2010
  KERKO  SHFLETO ARKIVEN
Perdoruesi:   Fjalekalimi:  
Numri 194 i revistes
Përmbajtja
Numrat e Kaluar
Abonohu
  Kryeartikull
  Politike
  Ekonomi
  Dossier
  Reportazh
  25 pyetje nga Mustafa Nano
  Ekskluzive
  Sociale
  Kulture
  Forum
  Rue Wiertz 60
  Mesazh në Shishe
  Bote

Fotografia e Javes

Karbon

Shqipni e Harrume

Kontakte
Rruga 'Gjin Bue Shpata'. pallati 9/A, Ap. 48,
Tirana, Albania

+355 (0)4 223 110

www.revistamapo.com
info@revistamapo.com
 
Rubrika:: Kulture

Një estet përmes dy sistemeve

Shkruan : Ben Andoni

Profesor Alfred Uçi e ka ruajtur formën e mirë fizike edhe pas shumë e shumë viteve, që ka mbi supe. Mosha e ka kërrusur paksa ndërsa shqetësimet e fundit mjekësore ia kanë ulur zërin....Ani, ruan të njëjtën dëshirë për të folur gjatë dhe mbi të gjitha për të punuar...Kjo e fundit duket se është ende në nivelet më të larta. E megjithatë,
njësoj si ai, studiuesit, që merren me estetikën, kanë gjithnjë fatin ‘e keq që të paragjykohen’. Jo për fushën e tyre të studimit por më shumë prej pamundësisë për t’u ndjekur nga njerëzit përreth. Në fakt, duhet të kesh njohuritë e tyre, të paktën mesataren e mjaftueshme të njohurive të koncepteve, ideve bazë estetike, që të ndjekësh një bashkëbisedim normal me një estet. Kuptohet, nuk ndodh shpesh...
Një fat të tillë, pa dyshim, e ka dhe Alfred Uçi, akademiku erudit shqiptar me një diapazon studimesh, që kapin njëherësh dhjetëra vjet pandalim dhe shumëllojshmëri temash. Biseda disi baroke me Profesor Uçin përmbledh fjali të tëra, që i shkojnë ideve njëra pas tjetrës dhe ku qartësia e mendimit ia rendit me kthjelltësi shembujt. Klasikët e letërsisë tek ai përshkruhen lehtë, ndërsa me pauzat mundohet të shpjegojë atë që mbetet. Cili është filli që i bashkon klasikët? Cilat janë gjërat më të paprekshme në art...A ka vdekur arti, tek e fundit?
Për Alfred Uçin ka përgjigje për gjithçka, që ka lidhje me artin. Për më tepër, si studiues që ka punuar dhe kërkuar në dy sisteme të kundërta, e ka aparatin e studimit në perfeksion dhe të maturuar sa më s’ka.

Estetika dhe arti
Estetika është filozofia e artit dhe si e tillë ajo na ndihmon të përçohemi në art. Z. Alfred Uçi, është esteti shqiptar që gjatë viteve të demokracisë, ka botuar rreth 15 monografi shkencore dhe mëton të hedhë sërish dritë në çështje të tjera, përmes botimeve të radhës. Në kthesat e mëdha, si këto që i kanë ndodhur Shqipërisë, esteti Uçi, jo vetëm ka mbijetuar me estetikën e tij por ka vazhduar të botojë dhe ka arritur t’i gjejë vendin e duhur dhe dinjitetin fushës së tij të studimeve.
Për hir të së vërtetës, krijimtaria e tij është shumë e gjerë dhe megjithëse ka të bëje me aspektin më epror teorik të artit, ajo ka ndihmuar breza të tërë artistësh dhe intelektualësh shqiptarë për të hedhur dritë në art në çështjet më të ndërlikuara të zhvillimeve filozofike, estetike dhe përgjithësisht kulturologjike në rrafsh universal dhe kombëtar...
Duhet të kujtojmë se ndryshimi i regjimit e gjeti Alfred Uçin jo thjesht në prag të pensionit, si njeriun kryesor të estetikës, por edhe në zgripin normal të intelektualit shqiptar- nëse do të mundej më tej apo jo. Përgjigjen e dha shpejt qenia e tij. Deri më atëherë kishte arritur të botonte 9 tekste e punime monografike, ku trajtoheshin me përparësi probleme të estetikës, çështje teorike të artit, të krijimtarisë folklorike pa llogaritur studime të tij...Por, çdo të bëhej më tej? Do kishte mundësi? Çfarë do afronte sistemi i ri?
Kur i kujton këto, ndalet pak, por shpejt të fut në labirintet e tij. Kështu ka emrin dhe një nga librat e tij të sistemit: “Në labirintet e Modernitetit”, ku ai u mundua përmes kritikës në dukje të shpaloste sa të mundej teoritë më dominuese bashkëkohore të fushës së tij. Nuk mundej më shumë...

Sot
Dhe, sot e kësaj dite, Alfred Uci punon dhe punon dhe ka në plan edhe shumë punë të tjera. Jo më kot, së fundi, prej tij kanë ardhur dy vëllimet e titulluara “Estetika metateorike mbi artin” (Klasika apo nonklasika), që janë si një vazhdë e punëve të tij të mëparshme të vëllimeve të “Universit estetik”, ku është trajtuar me mjaft thellësi një problematikë e gjerë teorike e metodologjike e estetikës dhe ku është parashtruar edhe përmbajtja e asaj disipline të veçantë brenda estetikë së përgjithshme...Në librat e fundit, që kanë të bëjnë me Metateorinë, synohet të trajtohen problemet teorike e metodologjike, ligjësitë më të përgjithshme të veprimtarive krijuese dhe të ndërgjegjes estetike...Sipas autorit, ky funksion ka të bëjë me artin në përgjithësi, sidomos me ligjësitë bazë të zhvillimit të tij. Ai merr rëndësi të dorës së parë ngaqë sot ekziston një rrjet i tërë shkencash dhe disiplinash të veçanta, që studiojnë veçmas në plan teorik gjithë artet e letërsinë, e krahas tyre ekzistojnë edhe historitë e arteve, të cilat përgjithësojnë përvojat estetike të llojeve të ndryshme të arteve. Një shpjegim i gjatë dhe shumë i kujdesshëm ndjek mendimin e qartë të autorit, por koha s’premton. Pauzon sërish.

Përballë modernes, dje dhe sot
Duhet të kujtojmë se ndërkohë që shumë nga kolegët e tij e patën të vështirë ndryshimin, duke pasur parasysh këtu se u duhej të përballeshin dhe me zhvillime të reja në estetikë, Alfred Uçi falë dhe një energjie të admirueshme vazhdoi dhe synon që ende të mos jepet... Ata që e njohin dhe që e kanë lexuar në atë kohë, mund të kenë rezerva, kuptohet duke mos e njohur thellësisht estetikën, që doli nga puna e tij dhe mënyra sesi ka mbijetuar ai. Profesorit i është dashur të qëndrojë jo afër të përkëdhelurve, ndërkohë që po të ishte “më i kujdesshëm” do kishte mundësi të katapultohej dhe të zinte një vend të admirueshëm që zakonisht e kanë...njerëz që e luajnë mirë. Në fakt pak e kanë ngacmuar. Ka qenë në struktura drejtuese, por gjithmonë më afër shkencës së tij të artit. Në një farë mënyrë, streha e tij te estetika dhe përçuarja e problematikës së saj në publikun e interesuar u bë me kujdes dhe në terrin e dogmës, ai ka përçuar duke i kritikuar teoritë dhe doktrinat estetike dhe kulturologjike, që nuk kishin leje-hyrje në shoqërinë shqiptare. Ajo ishte e vetmja frëngji nga ku u përcoll ajo, që mund të mësohej për kulturën perëndimore: doktrinat, rrymat dhe teoritë e saj estetike...Në këtë marrëveshje të heshtur në librat që botoi, me titujt ‘e frikshëm’ kundër estetikës borgjeze ai mbarti për atë pak publik të interesuar të vetmen rreze drite, kuptohet me kritikën përkatëse, e cila nuk do t’ia mundësonte ndryshe kuturisjen...Dhe, “Estetika” në tre vëllime apo libri tjetër me “Labirintet e modernizmit”, botuar atëherë u kanë dhënë në atë kohë një ushqim që duhet vlerësuar studiuesve shqiptarë. Ato kanë ofruar me aq sa kanë mundur një rrjet të gjerë doktrinash bashkëkohore dhe gjatë viteve të mbylljes 70-80 studentët e artit patën nga dritaret e pakta të vetme ku mund të konsultonin dhe të përballnin njohuritë e tyre me rrymat bashkëkohore të mendimit estetik, artistik dhe kritik...

Estetika e kohës
“... estetika metaforikte moderne e ndjen veten si një hyjni sovrane e gjithëditur, gjithëshikuese, që mbretëron mbi të gjitha dhe që nuk përzihet me ngjarjet, nuk identifikohet me to, por qëndron si gjykatës i paanshëm”, thotë diku ai.
Duke ndjekur idenë e tij kujtojmë se Metateoria, që është botuar së fundi, nxjerr nga historia e universit estetik konkluzionin për të mos qëndruar indiferent ndaj bashkëkohësisë së të ardhmes të kulturës artistike. Duket e arsyeshme por më shumë flet se në amullinë e sotme ajo që i shqetëson njerëzit është fakti se situata e sotme është një e tillë që ka kaq shumë zhgënjime, saqë e ke pothuaj të pamundur që të zgjedhësh përmes artit “ndonjë paradigmë orientuese që të përcillte qartësi e siguri dhe ët ishte estetikisht produktive, duke nxitur brenda kontekstit të lirisë së mendimit, pluralizmit konceptual dhe demokracisë, talentet, mjeshtëri të përsosur dhe individualitete krijuese të çdo fushe të arteve veç e veç në tërësi”.
Shumë vite më vonë, tashmë në ditë tona, në krijimin e Alfred Uçit ke dhe një mbështetje të madhe edhe për problemet e mëdha, që duan zgjidhje nga arti. Gjatë viteve të fundit, profesori ka sjellë për publikun tre librat e “Universit Estetik”, që përmbledhin periudhat që nga Antikiteti dhe duke zbritur më poshtë deri te koha e ”Filozofisë së Teodor Anastas Kavaliotit” dhe më poshtë ende. Duke thënë se e gjithë kjo punë e tij është puna e një oshënari të estetikës, i cili punon në vetmi dhe ndjek me kujdes të gjithë prirjet e kësaj disipline.
Duket se studimin më të kujdesshëm ia ka bërë Dr. Zyhdi Dervishi. Ai thotë se është tejet e vështirë që në formatin e një shkrimi të ravijëzohen tiparet dhe arritjet më të mëdha...Por ai identifikon tre elementë në korpusin e veprës së tij: “Së pari duke qenë njohës i thellë i kulturave, i qytetërimeve kryesore, i ligjësive të zhvillimit të tyre, Profesor Uçi i shqyrton doktrinat filozofike, estetike e artistike të kontestalizuara në rrjedhën e zhvillimeve shoqërore, kulturore dhe artistike etj. ..Së dyti të gjithë doktrinat filozofike, estetike analizohen në rrjedhën e evolucionit të tyre, në dinamikën e ndryshimit në procesin e përditësimit dhe; së treti ndonëse kultura shqiptare ka shtrirje gjeografike autori në gjithë krijimtarinë ka evidentuar komunikimet e kulturave të përhapura në hapësira më të gjëra me kulturën shqiptare në rrafshin filozofik, estetik dhe artistik...”.
Ka një gjysmë shekulli kontribut në letrat studimore shqipe dhe duket se studimet e tij janë të nevojshme për të gjithë studiuesit shqiptarë të artit. Por ajo që e bën më interesant atë është aparati shkencor shumë i përparuar, referencat e gjera dhe metodologjia e mirë e përdorur...Në ata që e studiojnë artin dhe zhvillimet e saj, ai mbetet një emër i vlerësuar dhe një ndihmës për ata që duan të penetrojnë në labirintet e pafundme të atit...
Por ajo që duket më interesante nga studimi i veprës së tij është se flet hapur edhe për zhvillimet e sotme të artit. “Shqetësimet dhe frika për krizë e vdekjen e artit jo vetëm tek ne, në vendin tonë, por edhe kudo në botë, kanë jetuar e ndeshur në kohët e reja nën kupolat e ideologjive dhe Pushtetit shtetëror, ekonomik e kulturor, që sillnin deformime të rënda në atmosferën krijuese të artit, nënshtrim ndaj politikës, vartësi ekonomike, kufizim lirie, ndotje antiestetike, servilizëm oborrtar”.
Por këtu e ka një shteg, kur ai thotë se arti nuk vdes nëse nuk i bindet pushtetit dhe ideologjizmave të ngjyrosura, rreziqeve të cilat gjatë jetës nuk mungojnë asesi...
Pa marrë parasysh rastin, arti është fare qartë më shumë një marrëveshje e mirë se sa një shprehje e thjeshtë emocionale, dhe të paktën kërkon karakteristika të tjera: përfaqësim të plotë dhe më të ndjeshëm, forma të këndshme dhe të përshtatshme, rëndësinë dhe thellësinë e përmbajtjes. Pra Forma dhe Bukuria: Autonomia e vërtetë e Arteve. Pyetje filozofike në fund të fundit që të kalojnë përtej argumentit racional...Por, këtu, është ende fusha e profesorit. Ai ka ende shumë për të folur. I marrim leje...koha ka shkuar.

SipërEmail Printo

  Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike


Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet

Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë