| |
Çfarë zgjidhje për krizën Shkruan : Skender Minxhozi Prej javës së parë të muajit korrik 2009, ose më mirë prej gjashtë muajsh, kryeministri dhe kryetari i opozitës po luftojnë me njëri-tjetrin. Në kuptimin më të vërtetë të termit. Jo se kanë bërë diçka të ndryshme në të shkuarën, jo se kjo betejë politike është unikale për nga ashpërsia dhe përmasat, por sepse ndërkohë që Kosova e ka mbyllur në dy javë kapitullin e zgjedhjeve, Shqipëria prej gjashtë muajsh vijon të mbetet në krizë të thellë institucionale për shkak të votimeve të 28 qershorit. Gjashtë muaj kacafytje dhe sharje publike (nuk i dëgjon askund, u shpreh një raporter i KE), gjashtë muaj kolaps parlamentar me gjysmën e vendeve bosh dhe me seanca që s’janë të tilla. Gjashtë muaj të një krize që ka zbritur gradualisht në bazë, duke bllokuar qytetet e bashki, buxhete administratash lokale e këshilla komunale. Shteti është i ndarë më dysh, e kjo sepse njëra palë kërkon hetimin e zgjedhjeve, kurse pala tjetër shprehet se s’ka ndodhur asgjë.
Këtë lëmsh të ngatërruar tashmë duhet ta zgjidhë Bamir Topi. Ndoshta jo personi më i këshillueshëm për këtë mision, nëse shihen marrëdhëniet, pesha politike dhe roli konkret që kreu i shtetit ka pasur deri tani në krizë. Por gjithsesi, i vetmi institucion i mbetur në fushën e lojës, nëse do të ndiqej varianti i një zgjidhjeje politike shqiptare.
Tashmë qeveria dhe parlamenti janë përfshirë totalisht në përplasjen me opozitën, ndërkohë që për shumë rrethana, presidenca ka mbetur në marzhin e kësaj përballjeje. I nënvlerësuar nga demokratët dhe i shikuar me një mosbesim të nënkuptuar nga socialistët, presidenti ka tani shansin (por edhe riskun) e avancimit të një negociate të vështirë dhe komplekse.
Bisedimet
Është pak e qartë sesi do të nisin negociatat. Opozita përgatitet të ulet në tryezë, pasi të ketë hedhur të paktën dy hapa. Së pari, formësimin e një fronti politik-social, ku do të përfshihen parti politike, sindikata e shoqata që kontestojnë punën e qeverisë dhe së dyti caktimin e një date për mitingun e dytë të madh, pas atij të 20 nëntorit. E majta llogarit se nën këtë presion, tryeza do të kishte më shumë shanse të arrinte, sipas saj, një sukses. Domethënë, të kalonin kërkesat e Ramës për hapjen e kutive.
Të njëjtën gjë po bën mesa shihet edhe shumica. Fillimisht demokratët e kushtëzuan marrjen pjesë në tryezë, me bindjen nga ana e presidentit të Edi Ramës, që të mos kërkonte hapjen e kutive. Nuk dihet sesi kreu i shtetit mund ta arrinte këtë gjë, e cila në fakt do t’i bënte vetë negociatat të panevojshme. Më pas, Berisha njoftoi se maxhoranca ka ndërmend të ngrejë një komision hetimor për zgjedhjet. Edhe kjo një lëvizje po aq e çuditshme sa e para, pasi qeveria ka deklaruar rregullisht këto gjashtë muaj, se këto ishin zgjedhjet më të mira në historinë pluraliste dhe se ajo s’kishte asnjë objeksion ndaj tyre. Pra, ata që lavdëronin zgjedhjet, kërkonin tani t’i hetonin ato. Së treti, demokratët vijuan të kërcëojnë publikisht deputetët e opozitës, se nëse nuk paraqiteshin në Kuvend deri në 6 mars, mandatet e tyre ishin të mbaruara.
Në këto lëvizje taktike dhe hutuese për kundërshtarin, lexohet qartë vullneti i dy palëve për të testuar pulsin e njëra-tjetrës. Berisha nga ana e tij po kërkon të sugjestionojë socialistët me idenë se edhe tryeza e Bamir Topit nuk do ta ndryshojë thelbin e qëndrimit zyrtar për zgjedhjet dhe hetimin e tyre. Të njëjtën gjë, nga pozitat e tij, po bën edhe Rama. Kreu i opozitës e ka parë si një fitore politike rezolutën e Këshillit të Europës, e cila zyrtarizoi krizën, balancoi kërkesën për fundin e bojkotit me atë të hetimit të zgjedhjeve dhe futi në lojë presidentin. Kryeopozitari po tenton të shkojë në tryezën e presidentit duke shprehur thjesht vullnetin për t’u ulur në bisedime, pa lëshuar nga dora kërkesën themelore të opozitës gjatë këtyre muajve: hapjen e kutive.
Çfarë zgjidhje?!
Ja pyetja që me siguri i bën të heshtin sot edhe vetë protanogistët e tryezës. Sabri Godo, republikani më i vjetër në Shqipëri, e ka bërë të qartë se nëse hapen kutitë e votimit, Shqipëria shkon në zgjedhje. Godo, Berisha, Nano, Rama dhe Meta, e dinë fare mirë se në secilin prej proceseve të votimit të zhvilluara në 20 vjetët e fundit në vendin tonë, mund të gjesh “tonelata” me gabime, mospërputhje shifrash dhe vota të hedhura majtas-djathtas pa të drejtë. Kutitë e votimit kanë qenë dhe mbeten prova e madhe e heshtur e zullumit të madh të politikës shqiptare me vullnetin e popullit.
Votimet e 28 qershorit nuk bëjnë përjashtim nga kjo logjikë që vlen për të gjitha kohërat dhe qeveritë. Për këtë arsye zoti Berisha betohet përditë se nuk do të pranojë kurrë hapjen e kutive, megjithëse përfaqësuesit e maxhorancës e kanë gjithnjë e më të vështirë të provojnë se ku bie ndesh me Kushtetutën e vendit një veprim i tillë.
Për pasoja edhe suksesi i negociatave do të kalojë nëpër këtë shteg të ngushtë dhe plot kurthe e hilera. Megjithatë, siç na mëson arti i negociatave, shpesh zgjidhja mund të vijë atëhere kur gjithçka duket e dështuar. Angazhimi në nivel të lartë i Këshillit të Europës dhe përfshirja e presidentit të vendit në proces, janë parakushte për një zgjidhje të pritshme. E cila jo domosdoshmërisht do të ketë si akt final hapjen e kutive. Idea e hedhur nga Pëllumb Xhufi disa ditë më parë për të kopjuar precedentin e vitit 2002, kur opozitës ju la propozimi i presidentit dhe kryeprokurorit, ndoshta mund të mos përsëritet pikë për pikë, por mund të jetë e vlefshme në parim. Një tjetër kompromis i mundshëm mund të luhej me afrimin eventual të zgjedhjeve të përgjithshme, ose kryerjen e tyre bashkë me ato lokale. Secili prej këtyre varianteve duket sot i parakohshëm dhe i pamundur. Mund të mos jenë më të tillë pas pak javëve, atëhere kur tryeza e partive tek presidenti do t’i ketë konsumuar kilometrat e para. Diçka duket e sigurtë qysh sot: vështirë se skena politike do të ketë të njëjtën pamje dhe të njëjtat llogore, pas mbarimit të këtij procesi. Shqipëria është një vend që nuk e ka më luksin e konsumimit të ngadaltë të krizave të saj. ndodhemi në një kontekst ku integrimi është kryefjala dhe kompromisi mjeti i arritjes së suksesit. Berisha dhe Rama do të duhet të përshtaten me këtë logjikë, ose do të duhet të mbajnë që të dy, njëri më shumë e tjetri më pak, përgjegjësinë e harxhimit të një kohe tejet të vlefshme për shqiptarët.
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|