| |
Si Ruzhdija Kutitë e tjera të misterit Shkruan : Lorenc Vangjeli Nuk është vetëm skandali i Ruzhdijes! Ai është vetëm një emër që sot është kthyer në simbol të mashtrimit elektoral, njëlloj si Dushku i djeshëm. Në dhjetra kuti të tjera votimi vazhdon të ndryhet e fshehta që ka paralajmëruar që prej tetë muajsh opozita, moszbulimi i të cilës e la kaq gjatë jashtë Kuvendit. “Hapni kutitë!”, duket se do të jetë një histori që do të vazhdojë gjatë, për më tepër e shtuar dhe me provat e reja që po dalin në dritë. Skandali i ri i pritshëm paralajmërohet edhe me një kontroll të thjeshtë në të dhënat zyrtare të rezultateve elektorale të 28 qershorit. Burime zyrtare pohojnë për revistën MAPO se dhjetra kuti të tjera votimi që ndodhen të “burgosura” në Lundër, në magazinën e KQZ-së, strehojnë rezultate po aq të “çuditshëm” sa kutia e fshatit Ruzhdije. Gjeografikisht ato vijnë nga Veriu në Jug, nga qarku i Shkodrës në atë të Vlorës. Si për ironi të fatit, të gjitha kutitë me shenjë, kanë një gjë të përbashkët: rezultatin zero vota apo më pak se dhjetë vota për opozitën dhe nga disa dhjetra deri në qindra vota për maxhorancën. Një situatë krejt e papranueshme, nisur kjo nga fakti që të paktën nga dy partitë më të mëdha, me një shtrirje kapilare të përkrahësve të tyre, ka edhe kuti votimi në të cilat nuk gjenden as votat e komisionerëve të njërës parti. Hetimi i pritshëm parlamentar në pritje për të nisur, ka kështu një bazë pothuaj të gatshme parashqyrtimi; pas precedentit Ruzhdije, kërkimi i të vërtetës mund të shtrihet dhe në dhjetra kuti të tjera. Apo dhe për më tej, të bëjë të rivlerësohet akuza, tashmë e vjetër penale e partisë së zotit Ndoka. PDK-ja pesë muaj më parë dha prova të qarta se të paktën në qarkun e Shkodrës, ka humbur një mandat deputeti. Sipas zotit Ndoka, koalicionit Poli i Lirisë në të cilën bënte pjesë partia e tij në zgjedhje, i janë “transferuar” në shumicë dërmuese për llogari të PD-së, minimalisht 5.873 vota. Prokuroria e Shkodrës që ka nisur një hetim për këtë çështje ende nuk ka mbyllur dosjen, por në të njëjtën kohë, kolegët e tyre fierakë, në një hetim të ngjashëm, kanë vërtetuar pa hezitim e në mënyrë indirekte akuzën për manipulim të rezultatit elektoral në fshatin Ruzhdije.
Kutitë “sekrete”
Në të vërtetë nuk janë fare sekret edhe pse vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të mungesës së vullnetit politik të shumicës për të bërë transparencën e kërkuar me të gjitha mjetet dhe mënyrat nga pakica. Janë rreth 35 kuti “simbolike” të cilat në rastin më të mirë, shkaktojnë dyshime të thella. Sa për të cituar vetëm disa raste nga shifrat që ka në dispozicion revista MAPO:
Në qarkun e Shkodrës, janë të paktën katër qendra votimi ku opozita nuk ka marrë asnjë votë. Respektivisht, në qendrën e votimit 0038, rezultati ka qenë 153 me 0, në QV 0075, rezultati është 111 me 0, në QV 0186, rezultati është 93 me 0, në QV 0187, rezultati është 17 me 0. Në Kukës, QV me numër 36, rezultati është 41 me 0, në qarkun e Dibrës, në QV 1048, rezultati është 130 me 0, në qarkun e Vlorës, në QV 4725, rezultati është 134 me 0, në qarkun e Korçës, në QV 4013, rezultati është 38 me 0. Por rekordet e habitshme në “të zezë” garantohen në Tiranë. Në tre QV të qarkut të Tiranës, përkatësisht në QV-të me numër 1968, 1987 dhe 1598, rezultatet shkojnë në shifrat 267 me 0; 291 me 0 dhe 398 me 0. Të gjitha zona periferike rreth qytetit në Kamëz dhe Paskuqan. Pikërisht ato më të kontestuarat nga opozita.
Shifrat e tjera afrojnë po të njëjtën histori. Por në rreth 35 kuti të studiuara, del qartë se opozita nuk ka “marrë” as votat e komisionerëve të saj.
Shpërndarja gjeografike
Shpërndarja gjeografike prek të gjithë Shqipërinë, nga qarku i Shkodrës, deri në atë të Vlorës. Vetëm Shkodra ka të paktën nëntë kuti të tilla, Kukësi, dhjetë kuti të dyshimta, Dibra, katër kuti, Fieri një të tillë (pa numëruar kutinë e zezë të Ruzhdijes, tashmë zyrtarisht nën hetim), Vlora, dy kuti, Gjirokastra, Vlora dhe Korça nga një kuti dhe Tiranë, të paktën tre kuti me këtë lloj rezultati elektoral. Rezultati më i dyshimtë është në Tiranë, ku në 398 vota të njërës kuti, asnjë prej tyre nuk rezultonte për opozitën
Shkodra nën hetim, akuzon PDK-ja
Pak ditë mbas shpërthimit të skandalit të kutisë së manipuluar të Ruzhdijes, kryetari i PDK-së Nard Ndoka, rikujton se një denoncim të ngjashëm partia e tij ka bërë për qarkun e Shkodrës. Një hetim për fatin e të cilit nuk ka asnjë njoftim, përveç faktit që vetë zoti Ndoka konfirmon se KQZ-ja “nuk ka bashkëpunuar sipas asaj që kërkon ligji për të vënë në dispozicion të prokurorisë dokumentacionin e nevojshëm për hetimin e çështjes”. Por që këtej, Ndoka shkon dhe më tutje në akuzën e tij, kësaj rradhe ndaj organit të akuzës: “Ne disponojmë informacione se Prokuroret e çështjes, të vënë përballë presionit të gjithanshëm të pushtetit, po e zvarrisin cështjen pafundësisht, duke mos i dhënë asnjë përgjigje per denoncimin e Partisë Demokristiane”. Por çfarë ka ndodhur realisht. Në nëntor të vitit të kaluar, PDK nisi një operacion delikat të verifikimit të votës së saj, duke u përqëndruar kryesisht në qarkun e Shkodrës. Një grup specialistësh të informatikës, shqyrtuan CD-të e filmimeve të realizuara në qendrat e numurimit të votave. CD-të u tërhoqën në mënyrë zyrtare nga KQZ-ja për KZAZ-të me numër 40, 41, 42, 43 dhe 44.
Rezultatet e hetimit partiak, tashmë të bëra publike, ishin vërtet tronditëse. Sipas PDK-së dhe asaj çfarë rezultonte realisht nga shqyrtimi i pamjeve filmike, dilte se vetëm në qarkun e Shkodrës, Partia Demokratike, nëpërmjet komisionerëve të saj i kishte shtuar rezultatit të PD-së rreth 11 784 vota. Prej tyre, koalicionit Poli i Lirisë, pjesë e të cilit ishte PDK-ja në zgjedhje, i janë grabitur 5 873 vota, që në rezultatin final përkthehet me një mandat të grabitur ndaj kësaj partie.
PDK dorëzoi në prokurorinë e Shkodrës kallëzimin e saj dhe provat që kishte mundur të siguronte. Ato përfshinin pamjet filmike të procesit të numurimit të votave dhe procesverbalet e firmosura nga grupet e numërimit, ku dallohen qartazi diferenca mes rezultatit të firmosur dhe atij të verifikuar nga pamjet filmike.
Sipas Ndokës, PDK-ja ka denoncuar që ditën e votimit parregullsitë e vëna re të cilat përfshinin një sërë elementësh të fallsifikuar apo që kishin ndikuar në një rezultat të manipuluar.
Kutitë e Pandorës
Askush nuk mund të thotë se si do të gdhihej të nesërmen Shqipëria mbas një hapjeje eventuale të kutive të votimit. Që nga 28 qershori, në fakt, ka fituar gjithmonë e më shumë terren ideja se rezultati final i shpallur nga KQZ-ja dhe pushteti që ka derivuar prej këtij rezultati, kanë probleme dhe largësi relative nga vullneti i votuesit shqiptar. Edhe fraza “magjike“ e raportit të OSBE/ODIHR-it, se është vënë re “numërim i keq ose shumë i keq në një të tretën e qendrave të numërimit”, dëshmon pothuaj të njëjtën gjë: është votuar përgjithësisht qetë si në “Zvicër“, në datën 28 qershor dhe më pas, vota është numëruar si në Ruzhdijet shqiptare në ditët në vijim.
Të enjten e shkuar, në ditën e hyrjes në Kuvend mbas gjashtë muajsh bojkoti të Kuvendit, Partia Socialiste nëpërmjet Gramoz Ruçit, lëshoi një sfidë të jashtëzakonshme për terrenin shqiptar: “Vemë në bast gjithçka për një kuti të vetme”! Thënë me fjalët e Ruçit: “Largohem nga politika me gjithë deputetët e qarkut të Fierit, PS heq dorë nga kauza e saj për transparencë të votave, në rast se Berisha hap kutinë e Ruzhdijes dhe ajo del në rregull”!
Vetëm pak orë pas fjalës së Ruçit, kutia e Ruzhdijes u “hap“ publikisht dhe pisllëku që ajo mbante brenda, ka ditë të tëra që po ndot ambientin politik shqiptar. Në një botë skeptike si Shqipëria, ku dyshimi nuk shkon në dobi të të dyshuarit, qeveria shqiptare po tregohet çdo ditë e më shumë me gisht, të paktën nga opozita, si banditi që e di se nuk duhet të kthehet në vendin e krimit.
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|