| |
Shqipëria dhe të huajt, një marrëdhënie defektoze Shkruan : Skender Minxhozi Statusi i ndërkombëtarëve në këtë vend ka qenë gjithnjë ai i qytetarit të dorës së parë. Ata janë ndjerë këtu të përfillur, të mirëtrajtuar dhe të mikluar në mënyra e forma të ndryshme. E njëjtë ka qenë vetëm pozita superiore në të cilën shqiptarët i kanë vënë ata rregullisht, në raport me veten e tyre. Ky imazh, i cili në imagjinatën popullore ka portretin e përzier të Princ Vidit, Franc Vranickit dhe ambasadorit perëndimor të rradhës, ka dominuar edhe klasën politike, si shprehje e koncentruar e ndërgjegjes së popullit votues.
Që nga viti i largët 1990, diplomatët e huaj kanë zënë podiumet e politikës shqiptare. Ata janë dëgjuar përgjithësisht pa reagime dhe debate, përjashtuar rasteve të veçanta, kur politikanë të caktuar kanë dalë përkohësisht (vetëm përkohësisht) nga sfera e influencës së të huajve.
Megjithatë vitet kalojnë dhe klasa e diplomatëve të huaj, e cila përcakton në një masë të konsiderueshme edhe qëndrimet zyrtare të kancelarive që ata përfaqësojnë, po fillon të ndjejë konsumin e pashmangshëm të strategjisë që rëndom ka përdorur ndaj klasës tonë politike. Tradicionalisht të huajt kanë folur me politikanët dhe qeverisësit e Shqipërisë në bazë të kodi të njohur komunikimi. Parimet e demokracisë, nevoja për reforma, kritikat e ndryshme për aspekte specifike të zhvillimeve në vend – të gjitha këto ndjekin logjikën për të mos e “vrarë” kundërpalën (në rastin konkret, politikanin shqiptar), por vetëm për ta “plagosur”. Gjuha lakonike e takimeve, deklaratave dhe rezolutave, stili i kujdesshëm për t’i thënë gjërat përgjysëm, më shumë sesa për t’i nënvizuar ato me forcë, për të mos nxjerrë mundësisht fajtorë dhe përgjegjës direktë, por vetëm për të kritikuar në përgjithësi, e mbi të gjitha për të mos folur thuajse kurrë drejt dhe açik – kjo mënyrë e komunikimit me dhjetra e qindra politikanë vendas, ka sjellë rregullisht dështime në 20 vjetët e fundit.
Janë të panumurta krizat politike që ka kaluar Shqipëria në epokën postkomuniste, të cilat kanë vijuar për javë e muaj pa zgjidhje, edhe për shkak të një qëndrimi të dyzuar e të pavendosur të bashkësisë ndërkombëtare. Janë gjithashtu të panumërt shembujt që sjell historia jonë e vonë, në lidhje me këtë dilemë të pafundme të ndërkombëtarëve, ndaj ngjarjeve e personave konkretë. Situatat e vështira, tensionet politike, revoltat popullore dhe përmbysjet e mëdha, si ajo e vitit 1997, kanë kaluar e janë pjekur edhe përmes qëndrimit amorf dhe pa iniciativë të klasës diplomatike që ka shërbyer në Shqipëri në periudha të caktuara kohore dhe që nuk ka dashur apo nuk ka ditur të vrapojë për të shuar zjarrin që po ndizej.
Lind me të drejtë pyetja: Po pse duhet të vrapojnë për ta shuar zjarrin? A ju takon ta bëjnë diçka të tillë? Në parim kjo pyetje mund të marrë një përgjigje që ne shqiptarëve do të na linte jo shumë entuziastë. Pra, që të huajve nuk duhet t’u takojë dhe as t’u hyjë drejtpërdrejt në punë që të bëjnë zjarrfikësin në Shqipëri, sa herë që vetë shqiptarëve u lind dëshirë për t’i vënë zjarrin vendit të tyre. Gjithsecili duhet të ruajë nga zjarri shtëpinë e tij, thotë logjika e thjeshtë. Megjithatë, si çdo rregull, edhe ky e ka një përjashtim. Në dy dekada Shqipëria është ndodhur rregullisht në buzë të greminës dhe po rregullisht është shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë të Perëndimit. Misione humanitare dhe ushtarake kanë zbarkuar në këtë vend për të vendosur rregull e qetësi apo për të ushqyer banorët e qyteteve dhe fshatrave. Mishmashi shqiptar e ka njohur këtë marrëdhënie qysh në agimin e sistemit pluralist, atëhere kur shteti shqiptar mbaronte në periferitë e Tiranës, për t’ia lënë vendin dhunës dhe kaosit.
Dekada e dytë e pluralizmit, sidomos pesë vjetët e saj të fundit, kanë sjellë premisat për një ndryshim cilësor në marrëdhënien mes vendit tonë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kjo sepse edhe statusi i vendit tonë në skenën europiane e globale ka ndryshuar. Nuk jemi më nxënës shkolle, por kemi marrë disa nga diplomat e domosdoshme për të qenë një shtet normal. S’jemi më kandidatë, por në disa dyer kemi hyrë tashmë me statusin e anëtarit me të drejta të plotë. Për pasojë, s’mund të trajtohemi më me dorashka, por në duhen thënë disa gjëra hapur dhe pa dredha. Shqipëria ka detyrime, jo më vetëm nevoja. Si e tillë duhet trajtuar edhe nga të huajt, të cilët vijnë në Tiranë, dëgjojnë palët dhe flasin me gjuhën e Ezopit. Një mënyrë e keqe kjo, mesa kemi parë rezultatet, për të trajtuar krizat shqiptare këtej e tutje. Shembulli klasik i një dështimi të tillë djegës ka qenë delegacioni i Këshillit të Europës, i 22 shkurtit të kaluar. Qëndrimi i këtij delegacioni, në linjë të plotë edhe me të tjera qëndrime për krizën aktuale të zgjedhjeve, dëshmoi se të hysh në mes të palëve në Shqipëri, pa marrë një pozicion të qartë, do të thotë thjesht të dështosh. Dështoi demarshi diplomatik, dëhstoi tryeza e presidentit që u sponsorizuar prej tij dhe tashmë krahët politikë po mprehin shpatat për betejën e rradhës.
Ky precedent, por dhe të tjerë si ky, dëshmojnë se qasja e perëndimorëve ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve është totalisht e gabuar. Nuk jemi një racë më vete, as ndonjë entitet i paparë mbi faqen e Tokës, por jemi thjesht një vend i qeverisur nga një specie politikanësh hileqarë e të pabesë, që servilosen para çdo ambasadori, por që përmbysin premtimin e bërë para tij, sapo ai del nga dera. Kjo lloj kulture e mosmbajtjes së fjalës është ngulur thellë në manualin e politikës shqiptare. Pikërisht për këtë arsye edhe qëndrimi ndaj kësaj sëre duhet të jetë specifik. I drejtpërdrejtë dhe i ashpër. Rregullisht gjatë viteve të fundit, partitë e mëdha i kanë komentuar dokumentat themelore të institucioneve ndërkombëtare që flasin për krizat shqiptare, sipas gustove të tyre. Një rast flagrant është raporti fonal i zgjedhjeve i OSBE, i cili për shkak edhe të ambiguiteteve të theksuara të brendshme që ka, bëri që si PD, ashtu edhe PS, të gjenin aty lëndë të parë me shumicë, për të mbushur topat e luftës. Një lufte që po zhvillohet edhe sot me armët e “farkëtuara” në zyrat e OSBE në Vjenë.
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|