| |
Të gjithë në plazh, sherri rinis në shtator Shkruan : Skender Minxhozi Politika shqiptare po ndërron kostumet dhe kravatat me paisjet e plazhit. Nesër zhvillohet seanca e fundit e nxehtë e Kuvendit, ku komisioni hetimor dhe ligji i ri për SHISH do të jenë “shkëmbi” i fundit i nënujshëm për PD e PS. Pas kësaj date, muaji gusht do ta spostojë përkohësisht fokusin e interesit nga aulat e politikës, në bregdetin e Dhërmiut, apo destinacione të tjera turistike.
Megjithatë shtatori i ardhshëm pritet me shumë interes që tani. Pikërisht sepse “litari” i konfliktit do të mbetet jashtë, që nga seanca e fundit parlamentare e ditës së nesërme. Pas një viti të gjatë krize, pas një bojkoti gjashtëmujor, një greve urie dhe disa negociatash të dështuara, klasa politike duket më larg se kurrë arritjes së një kompromisi dhe uljes në një tryezë të qëndrueshme bisedimesh. Nëse një vit e gjysëm më parë gjithçka dukej e mundur mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, pas zgjedhjeve të 28 qershorit ky flirt duket se ka shkrirë si bora e pranverës. Ky muaj pauze verore mund të mos në fakt i tillë për më shumë se një arsye.
Së pari, çeshtja e hetimit të zgjedhjeve duket se do të mbesë pezull edhe gjatë gushtit. Seanca e nesërme, përtej ndonjë zhvillimi të papritur, nuk parashihet që të konkludojë me krijimin e një komisioni hetimor për 28 qershorin. Dy takimet e Patozit me Ruçin kanë përfunduar pa asnjë rezultat konkret, duke lënë hapur problemin e trajtimit të fletëve të votimit, si pikë bllokuese e pakalueshme për të dyja palët. E shtyrë nga një rezolutë e Parlamentit Europian që kërkonte me forcë gjetjen e një kompromisi, kjo negociatë nuk arriti t’i shfrytëzonte javët para pushimeve verore, për të zgjidhur më në fund ngërçin njëvjeçar të zgjedhjeve.
Temë qëndrore e axhendës opozitare, çeshtja e hetimit të zgjedhjeve mund të rikthehet fort pas pauzës së pushimeve. Opozita ka deklaruar se mund t’i rikthehet kontestimit të parlamentit dhe mitingjeve publike, nëse nuk do të lejohet krijimi i një komisioni hetimor për zgjedhjet, i cili të kursejë djegien e fletëve të votimit.
Së dyti, përplasja e fundit për SHISH-in, duket se motivohet nga shumë interesa që mund të krijojnë, nëse ligji i ri kalon, një valë precedentesh të rrezikshme dhe një reagim ekstrem të opozitës në sezonin e ri politik. Lajmet e fundit flasin për një tërheqje të qeverisë nga kalimi i projektit, por nëse ndodh e kundërta, situata politike në vend mund të rikthehej shpejt në formatin e çadrave të grevës së urisë poshtë zyrës së kryeministrit. Çështja e shërbimit sekret, një dosje tejet delikate në të gjitha rendet shoqërore dhe në të gjitha shkallët e paraleve e meridianeve, ka rikthyer papritur hijet e së shkuarës në jetën tonë politike. Opozita e majtë i ka mjaft aktive reflekset e saj të regimit, sa herë që bëhet fjalë për binomin SHISH-Berisha. Për më tepër që në këtë konflikt të fundit duket se janë përfshirë edhe ndërkombëtarët, të cilët e konsiderojnë shërbimin tonë sekret si një pjesë të mozaikut rajonal e ndërkombëtar të kundërspiunazhit perëndimor, përballë sfidave të terrorizmit e të luftës së tregjeve.
Opozita duket se do të jetë shumë aktive lidhur me problemin e SHISH, të paktën në përpjesëtim të drejtë me vullnetin dhe këmbënguljen stoike të maxhorancës për të bërë pikërisht të kundërtën. Nëse kjo përplasje shtyhet gjatë seancës së nesërme, konflikti mund të ndërpritet aty ku nisi. Përndryshe shtatori i ardhshëm, nëse do të kemi një ligj të ri për shërbimin, mund t’i hedhë edhe më shumë benzinë zjarrit politik, edhe ashtu më agresiv se kurrë më parë.
Përtej kësaj axhende parlamentare të ditës, shtatori i ardhshëm mund të rezervojë surpriza të tjera në të dyja kampet. E majta mbylli një vit të parë të qëndrimit në opozitë, gjatë të cilit kaloi nga rrathët e ferrit të pas 28 qershorit, në protagonizmin relativ të pranverës së këtij viti. Ajo ia arriti të zgjidhë së pari (përkohësisht) problemin e lidershipit dhe të unitetit të brendshëm. Gjatë një viti Rama forcoi pozitat e tij në parti dhe mundi të rivlerësojë, qoftë edhe pjesërisht, kauzën opozitare në vend. Sezoni i vjeshtës mund të sjellë ndërkaq zhvillime të reja brenda kampit opozitar dhe pikërisht në lidhje me disa nga figurat që kanë qenë kundër linjës zyrtare të Ramës. Fjalët për një riformatim të qeverisë Berisha, kanë përfshirë ditët e fundit edhe disa nga emrat kundërshtarë të Ramës në parti. Kësisoj, nëse ky projekt do të gjente qoftë edhe një zbatim të pjesshëm, qeverisë që tashmë ka tre ministra të majtë (po të biem dakort që LSI është ende e majtë), mund t’i shtohej edhe ndonjë deputet tjetër opozitar që tani kritikon kryetarin e tij publikisht. Përpjekja në fjalë thuhet se është pjesë e strategjisë së kryeministrit për të siguruar 84 vota në Kuvend, e për të kaluar disa nga ligjet që kërkojnë shumicë të kualifikuar.
Përballë kësaj gjendjeje ende të paqartë brenda PS, qëndron një maxhorancë e cila vetëm në javët e fundit ka patur disa herë plasaritje të vogla, lidhur me vendime e projektligje që janë kontestuar hapur nga aleati i PD, Ilir Meta. Padyshim, deklarimi i fundit i Metës se nuk do të votojë pro ligjit të ri të SHISH është divergjenca më e lexueshme brenda shumicës, që nga krijimi i qeverisë vitin e shkuar. Nuk ka dyshim edhe që kjo është një përplasje më serioze se ato të mëparshmet, kur LSI ka votuar kundër hapave që PD ka ndërmarrë për hetimin e masakrës së Tivarit apo për rrethimin me polici të shtëpisë së një deputeti socialist në Pezë.
Përballja e fundit për SHISH-in mes Berishës dhe Metës përbën një precedent që duhet ndjekur me kujdes nga shtatori, pasi është një provë se në momente dhe rrethana të caktuara, dy liderët respektivë shfaqin të gjithë hendekun e thellë historik që i ndan dhe që u zhduk vetëm nën nevojën urgjente për të lënë Ramën në opozitë në 28 qershor.
Sezoni i ri i shtatorit do të shënojë gjithashtu edhe hapjen zyrtarisht të temës së zgjedhjeve lokale. Ose më saktë të hapave konkrete për reformën elektorale dhe përgatitjen graduale të kampeve kundërshtare. Por edhe ky proces kaq delikat mund të afektohet rëndë nga klima politike, duke qenë se tradicionalisht kompromiset elektorale kanë qenë çeshtje besimi politik reciprok. Ndërkaq, e gjitha kjo dinamikë politike pritet të influencohet dukshëm nga axhenda europiane e Shqipërisë. Në shtator do të fillojë procesi konkret i daljes së vendit nga lista e zezë e Shengenit. Votimi në Parlamentin Europian, aktualisht një formalitet pas rezolutës së fundit, mbetet gjithsesi një ushtrim i vështirë lobingu për qeverinë, duke qenë se ndërkombëtarët kanë dëshmuar edhe në të kaluarën se e mbajnë vazhdimisht njërin sy tek situata e bredshme politike në vend. Kjo e bën shtatorin një muaj edhe më intrigues. Siç thotë shprehja kineze “jetofshi në kohëra interesante”. Vetëm se ka një problem: nuk bëhet fjalë për një urim, por për një mallkim, sipas zakonit kinez!
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|