Revista Mapo
  E Mërkurë, 08 Shtator 2010
  KERKO  SHFLETO ARKIVEN
Perdoruesi:   Fjalekalimi:  
Numri 194 i revistes
Përmbajtja
Numrat e Kaluar
Abonohu
  Kryeartikull
  Politike
  Ekonomi
  Dossier
  Reportazh
  25 pyetje nga Mustafa Nano
  Ekskluzive
  Sociale
  Kulture
  Forum
  Rue Wiertz 60
  Mesazh në Shishe
  Bote

Fotografia e Javes

Karbon

Shqipni e Harrume

Kontakte
Rruga 'Gjin Bue Shpata'. pallati 9/A, Ap. 48,
Tirana, Albania

+355 (0)4 223 110

www.revistamapo.com
info@revistamapo.com
 
Rubrika:: Politike

Beteja e dytë për SHISH- Pse u kërkua koka e Bahri Shaqirit

Shkruan : Lorenc Vangjeli

Të mërkurën në mesnatë, një vinç i rëndë rivendoste skeletin 83 vjeçar të shatrivanit të Ahmet Zogut në lulishten përpara Kuvendit të Shqipërisë.
Të enjten në mëngjes në orën 10.00, Kuvendi i Shqipërisë hapi seancën plenare në të cilën do të miratohej projektligji për SHISH-in, i rrëzuar katër muaj më parë me të shtyrën e fortë të amerikanëve dhe të NATO-s.
Në të njëjtën ditë, në drekë, presidenti i GJND, japonezi Hisashi Owada do të lexonte vendimin këshillimor të gjykatësve më të lartë të botës: shpallja e pavarësisë nga Kosova, nuk cënon të drejtën ndërkombëtare.
Tre ngjarje që në pamje të parë nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, përveç një filli të hollë që i bashkon: papërgjegjshmërinë tipike shqiptare, që edhe kur bien këmbanat, rend pas zilkave. Dy ekstremet, Shatrivani që hedh ujë përpjetë dhe Dita e Madhe e Kosovës, në mënyrë të papritur u bashkuan me futjen e befasishme në rendin e ditës të punimeve në Kuvend të miratimit të projektligjit për SHISH. Një projektligj i dyshimtë, me synime të dyshimta dhe pa dyshim, absolutisht më i kritikuari nga dy polet më të rëndësishëm vendimmarrës të botës së sotme: Shtetet e Bashkuara të Amerikaës dhe NATO-ja, që praktikisht, drejtohet po nga amerikanët.

Një histori e përsëritur
Në mars të këtij viti, zyrtarisht ambasada amerikane në Tiranë, por dhe Uashingtoni e Londra, si dhe Brukseli, selia qëndrore e NATO-s në Evropë, hoqën dorezat e diplomacisë dhe folën shqip, shkurt e qartë si kurrë më parë: nuk e duam këtë projektligj. Do ta miratoni vetëm mbas konsultimeve dhe ekspertizës sonë.
“Në kuadrin e NATO-s dhe sipas marrëveshjeve dypalëshe, kjo është një çështje me implikime ndërkombëtare. Dhe, për pasojë, cilido qoftë diskutimi i brendshëm, është shumë, shumë e rëndësishme që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të mund ta rishohin këtë projektligj gjerë e gjatë dhe me hollësi për t’u siguruar që ai përmbush komponentin ndërkombëtar të detyrimeve të tij. Vërtet që po e ndjekim nga afër diskutimin e brendshëm mbi këtë ligj dhe të gjithë deputetëve, të të gjithë spektrit politik u kërkojmë të vlerësojnë pasojat e këtij ligji për interesat afatgjata kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë”, tha ambasadori amerikan Uidhers në 12 mars. Të premten nga Kukësi, Uidhers tha se SHBA kishte folur më parë për të njëjtën temë. Dhe natyrisht, asgjë nuk kishte ndryshuar në qëndrimin e SHBA-së ndaj këtij problemi shqiptar.
Në 22 korrik, të enjten, në seancën që kërkonte miratimin e projektligjit për SHISH, tre deputetë të PD-së, Oketa, Demi dhe Stërkaj, dëshmuan publikisht, me votë të hapur, se “e kishin dëgjuar” këshillën urdhëruese të ambasadorit Uidhers. Një ditë më parë, të mërkurën mbasdite, kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, do t´u kërkonte të gjithë deputetëve socialistë pjesmarrje të padiskutueshme në seancën e ditës së enjte. “Për arsye të sigurisë kombëtare nesër duhet të jeni të gjithë në sallën e Kuvendit”, tha Ruçi në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit; arsye të cilat sollën nga SHBA-ja në Tiranë deputetët Harasani, Ylli e Seseri dhe vunë në rrugë Isarain që ndodhej në klinikë shëndetësore dhe Doshin që ndodhej në cepin tjetër të globit, në Australi.
Zëvendësi i Berishës në qeveri, zoti Meta deklaroi votën e tij kundër projektligjit. “Të mos nxitohemi, të presim asistencën e NATO-s”, tha Meta në seancë. Një “premtim” që me siguri e ka bërë edhe në mars të këtij viti, kur vizitoi zyrtarisht Uashingtonin.
Të enjten historia u përsërit. Me siguri matematike, e ngjashme në thelb, por e ndryshme në përmbajtje me historinë që ndodhi në pranverën e këtij viti. Atëherë kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, vizitoi rrufe Tiranën. Sekretari Rasmussen foli pak publikisht, por me siguri shkurt e qartë zyrtarisht: Nuk e duam këtë ligj. Ligji nuk është vetëm çështje e brendshme e Shqipërisë, është dhe çështje e NATO-s. Duke kujtuar në këtë mënyrë se anëtarësimi në NATO nuk shërben vetëm si arsye për t´i tundur asaj flamurin blu nëpër mitingje, por para së gjithash, është detyrim dhe heqje e një lloj valleje sipas një muzike serioze që nuk ka shumë të bëjë me hallakatjen për gallatë të Tiranës.
Por kur u duk se kjo histori delikate u harrua në dosjet me “barsaleta” politike nga Shqipëria, krejt papritur ajo doli sërish në sipërfaqe. Kësaj rradhe në mënyrë serioze.

Si nisi
Nga dita e dielë, kur ishte për kryeshëndoshë tek viktimat e aksidentit tragjik të Fushë Arrëzit, kryeministri Berisha nuk u shfaq në publik. Madje u shty edhe mbledhja rutinë e Këshillit të Ministrave. Zyra e tij e shtypit lajmëroi se kryeministri ishte me gjendje gripale. Kundërshtarët e tij politikë, që e kanë zili shëndetin e hekurt të kryeministrit, komentuan me nënqeshje se kjo ishte me siguri një sëmundje diplomatike. Pa e ditur as ata vetë, se kështu mund të ishte vërtet. Dhe pavarësisht sesi është e vërteta, të enjten zoti Berisha doli në konferencë për shtyp për të përshëndetur vendimin e GJND-së duke e përmendur pothuaj shkarazi rolin e djeshëm e të sotëm amerikan për Kosovën. I lumtur dhe krenar, zoti Berisha megjithatë nuk tha asnjë fjalë për dramën që po luhej në Kuvend, në të cilin ai mungoi si rrallë herë. Mungoi në një nga bastet më të vështira politike që ai kishte vënë gjatë gjithë karrierës së tij të vështirë politike. Duke lënë kryetaren Topalli të ndeshej në distancë me Ramën që paralajmëronte Berishën të tërhiqte pas “mollën e re të sherrit me SHBA-në dhe NATO-n” dhe duke i rikujtuar me elegancë edhe sherrin e vrazhdë të 1997-ës; duke e lënë kryetaren Topalli të deklaronte në derën e Kuvendit: e megjithatë, ligjin do ta miratojmë, do apo nuk do Rama! Dhe për më shumë, të kujtonte se shumica e sotme që qeveris, e do pafundësisht NATO-n.
Të premten ky kapitull u mbyll. Fijet e luajtura jashtë vëmendjes së publikut bënë që, me saktësi matematike, Berisha të tërhiqet edhe njëherë nga ideja e tij për një projektligj të ri për SHISH-in.

Pse kështu,
Nuk ishte furtunë në gotë, por një gotë e brishtë që rrezikoi të thyhet në mënyrë të pakthyeshme nga një furtunë e papritur që një ditë më pas, rreshti plotësisht. Të paktën për momentin. Në fakt kjo ishte një furtunë që tentoi përmbytje dhe dallgë deri “portin” e fundit, në të cilin Admirali fuqiplotë Sali Berisha nuk ka akses lundrimi. Formalisht u kërkua koka e kreut të SHISH-it, 40 vjeçarit Bahri Shaqiri. Thelbësisht, çfarë ndodhi nga e premtja e kaluar, deri në të enjten e kësaj jave kur ligji doli si hyri nga salla e Kuvendit pa u votuar, në dukje nuk ndryshoi gjë dhe u ruajt status quo-ja e vjetër. Por formalisht dhe thelbësisht njëherësh, Shqipëria pësoi një frakturë serioze në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veçanti dhe me gjithë NATO-n në përgjithësi. Eshtë e pamundur të dallohet për momentin përmasa e qartë e kësaj frakture, që padyshim, është edhe një faturë politike kryesisht për shumicën qeverisëse dhe drejtuesin e saj absolut, Sali Berisha.

Votat e munguara
Në shtatorin e largët të vitit 1999, duke komentuar garën për kryetarin e PS-së, atëherë në pushtet, mes Majkos dhe Nanos, Berisha ka thënë një fjali lapidare: Majko ka shkuar në Uashington për të marrë mbështetje për kreun e PS-së, por votat merren këtu. Edhe ironi, edhe gjysmë e vërtetë, votimi real në Tiranë atëherë i dha të drejtë Berishës, i cili më shumë se kushdo tjetër, e di peshën specifike të Uashingtonit në Tiranë.

Edhe në politikë.
Edhe në veprimtarinë e SHISH-it, sa për të marrë një shembull konkret.
Plot 11 vjet më vonë, tashmë vetë në pushtet, Berisha harroi aksiomën e tij të dikurshme dhe nisi një garë force me Uashingtonin dhe NATO-n njëkohësisht. Në emër të vendosmërisë për të marrë “kokën” e drejtuesit të SHISH-it Bahri Shaqiri.
Ky është një ekuacion me shumë të panjohura dhe me shumë pikpyetje. Çfarë e nxiti Doktorin të ndërmarrë këtë hap, me shumë gjasa të dështuar që në nisje, duke ju kundërvënë edhe SHBA-së, edhe NATO-s? Çfarë ishte kaq e rëndësishme për të që të rrezikonte si kurrë ndonjëherë më parë në karrierën e tij politike? Çfarë qari kalkulonte të nxirrte nga kjo lëvizje, duke mos llogaritur as qederin e pashmangshëm?
Mund të merret me mend se ky mjeshtër i jashtëzakonshëm i kombinacioneve politike, ky ekonomist politik i dorës së parë, tek i cili përzihet hilja e vogël e ballkanasit, por dhe “nënshtrimi” në dukje ndaj më të fortit, ky gjeni i ringritjes dhe alkimist i jashtëzakonshëm që shndërron dhe tregton edhe humbjen si sukses, ka pasur një hall të jashtëzakonshëm. Një ngut të jashtëzakonshëm. Një nevojë të jashtëzakonshme.

Pse tani?
“Republika e Shqipërisë është një demokraci parlamentare me një popullsi prej afërsisht 3.6 milionë banorë”, kështu nisin zakonisht raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë. Për një “vëzhgues” të huaj, por të vëmendshëm në “sipërfaqe”, harta e saj politike dëshmon se ajo kufizohet nga disa shtete.
Në veri Mali i Zi. Një vend i shkëputur i fundit nga ish-federata Jugosllave. Në dukje stabilitet i garantuar politik. Një pakicë e konsiderueshme serbe në këtë shtet “ekologjik” me probleme të rënda korrupsioni endemik si Shqipëria dhe Ballkani në përgjithësi, megjithatë mund të krijojë probleme stabiliteti në çdo kohë. Investimet ruse në ekonomi dhe sidomos në pronat e patundshme, janë të pafundme.
Në verilindje, Shqipëria kufizohet me Kosovën. Të enjten, pavarësia e shtetit më të ri në botë mori edhe vulën e juridiksionit ndërkombëtar. Për momentin, pakica serbe ka krijuar situata që cënojnë stabilitetin e saj të brishtë, kryesisht në Veri, ndërsa hetime shumëkomplekse për korrupsionin e zyrtarëve lokalë, të kujtojnë operacionin e Duarve të Pastra në Italinë e viteve ´90 me një sërë Di Pietrosh ndërkombëtarë.
Në Serbi, trashëgimtaren e vetme juridike të shkëlqimit dhe rënies së ish-Jugosllavisë së Titos, ka një konkurrencë të qartë mes fjalorit demokratik që përdoret zyrtarisht dhe nacionalizmit ende të drunjtë. Kryesisht nacionalizmit të lidhur me Kosovën, nga e cila u zgjidh me forcën e raketave amerikane nga qielli dhe deti. Beogradi është vendi me marrëdhënien më të fortë shumëplanëshe me Rusinë, ish-superfuqinë në rritje dhe rivalin e hershëm e të ri të SHBA-ve dhe NATO-s. Një marrëdhënie e strategjisë politike të boshtit sllav. Sa për detaj, edhe të strategjisë energjitike, një prej armëve më të fuqëishme të kohës.
Në juglindje, Shqipëria kufizohet me FYROM-in, siç njihet ndërkombëtarisht Maqedonia. Një vend sllav me popullsi shqiptare që llogaritet deri në 33 për qind. Me një stabilitet të brishtë në pozicionin e sanduiçit që nga armiqësia e hershme me Greqinë, vend anëtar i NATO-s dhe BE-së, për çështjen e emrit e deri tek sherri me Bullgarinë për çështjen e identitetit etnik.
Në jug, Shqipëria kufizohet me Greqinë. I vetmi vend i rajonit anëtar i BE-së dhe NATO-s. Aktualisht në një krizë të fortë ekonomike. Një nga portet e saj kryesorë i është dhënë me koncesion afatgjatë Kinës së largët, që i jep mundësi gjigantit aziatik të depërtojë në Evropë me mallrat e saj të shkëlqyeshme në çmim, por të dyshimta në cilësi.
Ajo çfarë ndodh në Shqipëri, nuk mund të shihet e shkëputur nga i gjithë rajoni dhe nga një fakt “kurioz”: llogari aritmetike dhe demografike i nxjerrin shqiptarët që banojnë në rajon, si popullsia më e madhe e tij në vitin 2025. Vetë rajoni është ndarë nga një zinxhir luftërash që “teknikisht” përfunduan në qershor 1999 me largimin e armatës serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave të NATO-s në Prishtinë. Rajoni gjithashtu është një kryqëzim i konkurrencës së rrugëve të reja të furnizimit energjitik, të sponsorizuara veç e veç nga Uashingtoni e Brukseli nga njëra anë dhe Moska nga ana tjetër.
Arkitektura gjeostrategjike e rajonit, mbas luftës, tani në paqe, ka disa elementë që duhet të shihen qetësisht. Shqipëria dhe Kroacia janë tashmë anëtare të NATO-s. Në Mal të Zi dhe në Serbi, influenca ekonomike dhe politike e Moskës është shumë e qartë dhe e dukshme. Po kështu dhe në Sofje. Nga Athina, Pekini ka ndërtuar një kryeurë të depërtimit të mallrave të saj në Evropë.

Kundërzbulimi në rajon dhe më tej
Në këtë botë, ndoshta është e vërtetë shprehja se shërbimet sekrete janë pararoja e depërtimit jo vetëm ekonomik në një rajon të caktuar. E në qoftë kështu, për të parë se çfarë po ndodh realisht në Tiranë, duhet të shihet me kujdes se çfarë lloj investimesh përfundojnë në Shqipëri ose ç´kombësi parash qarkullojnë në vend.
Për të përdorur gjuhën e kohës së luftës së ftohtë: potencialisht në Shqipëri thuhet se veprojnë tre zbulime: të një vendi fqinjë të rajonit dhe të dy shteteve të mëdha, “rivalë” të amerikanëve. Duke kujtuar objektin zyrtar të veprimtarisë së SHISH-it dhe partnerëve të tij amerikanë, britanikë e deri diku edhe italianë, këtu në Tiranë, subjekt i punës së tyre do të jenë këto tre shërbime. Njëlloj si antiterrorizmi. Njëlloj si trafiqet e paligjshme. Njëlloj si “vëzhgimi” i vëmendshëm i orientimit të zonave të influencës ekonomike. Apo dhe pastrimi i parave në sasi të mëdha.
Dhe këtu ka një vijë të qartë të kuqe. Përtej të cilës nuk mund të kalohet. Një vijë të kuqe për shtypin, të cilës MAPO, natyrisht i qëndron larg. Lojërat me “007” nuk janë lojëra të së kaluarës, por ato, të paktën llogjikisht, mund të japin një përgjigje: pse u kërkua “bis” koka e kreut të SHISH-it Bahri Shaqiri? Një 40 vjeçar tiranas, që për hir të detyrës ka marrëdhënie mjaft të mira me Presidentin e Republikës Bamir Topi dhe Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, por me marrëdhënie të ndera me kryeministrin Berisha, me të cilin, që nga koha që ai ka ardhur në pushtet është takuar vetëm katër herë në pesë vjet. Shaqiri, është një profesionist, me arsim juridik dhe marrëdhënie “optimale” me partnerët që punojnë me të në shërbim, amerikanë dhe britanikë.
Në të gjithë këtë lëmsh, ndoshta gjenden dhe përgjigjet se pse amerikanët janë kaq të vendosur për të mbrojtur status quo-në në Shërbim. Me çdo kusht dhe me çdo çmim, ashtu siç tradicionalisht, kanë marrë gjithçka, që prej fundit të Luftës së dytë Botërore e këtej.
Ndoshta këto rrethana mund t’i kenë shkarë nga vëmendja kryeministrit, që ndërmori fushatën e sulmit kundër SHISH në emër të disa reflekseve të vjetra që i trashëgon që nga koha kur kontrollonte nga Presidenca edhe SHIK-un e dikurshëm. Dëshira për të kontrolluar gjithçka dhe gjithkënd, mund të jetë duke e shtyrë atë që të hedhë një hap delikat.
Shqipëria është një vend që prej një viti është në krizë të rëndë politike, për shkak të dyshimeve mbi të cilat është ngritur procesi i fundit zgjedhor që prodhoi qeverinë Berisha 2. Një nga zgjidhjet e krizës janë dhe zgjedhjet e parakohshme, në të cilat SHISH prej vitesh, vërtet nuk është aktor dhe faktor, por sigurisht është një spektator dhe dëshmitar i “bezdisshëm”. Njëlloj si në zgjedhjet e qershorit 2009. Çfarë ndodhi me SHISH dhe të nesërmen e tij në këtë javë të shkuar, ndoshta mund të shpjegojnë se çfarë do të ndodhë në Tiranë në një të ardhme të afërt.

SipërEmail Printo

  Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike


Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet

Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë