Revista Mapo
  E Enjte, 09 Shtator 2010
  KERKO  SHFLETO ARKIVEN
Perdoruesi:   Fjalekalimi:  
Numri 194 i revistes
Përmbajtja
Numrat e Kaluar
Abonohu
  Kryeartikull
  Politike
  Ekonomi
  Dossier
  Reportazh
  25 pyetje nga Mustafa Nano
  Ekskluzive
  Sociale
  Kulture
  Forum
  Rue Wiertz 60
  Mesazh në Shishe
  Bote

Fotografia e Javes

Karbon

Shqipni e Harrume

Kontakte
Rruga 'Gjin Bue Shpata'. pallati 9/A, Ap. 48,
Tirana, Albania

+355 (0)4 223 110

www.revistamapo.com
info@revistamapo.com
 
Rubrika:: Sociale

Fëmijët e shfrytëzuar, qeveria dështon në mbrojtjen e tyre

Shkruan : Kristi Pinderi

Qeveria Shqiptare, si në nivel qendror ashtu dhe në atë lokal, ka dështuar në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve nga shfrytëzimi seksual për përfitim. Shqipëria vazhdon të jetë një vend ku fëmijët prostituohen, trafikohen, përdoren për pornografi dhe për turizëm seksual. Ky konstatim vjen së fundmi nga raporti “Shfrytëzimi seksual i fëmijëve për qëllime përfitimi në Shqipëri”, një studim i Koalicionit Shqiptar Kundër Trafikimit dhe Shfrytëzimit Seksual të Fëmijëve – ACTSEC.
Në rekomandimet e këtij raporti theksohet gjithashtu se “Qeveria shqiptare, vëçanërisht në nivelin lokal, nuk ka ndërmarrë ndonjë masë për ti mbrojtur fëmijët nga hyrja në turizmin seksual të fëmijës, në një kohë kur turizmi në Shqipëri po rritet në mënyrë të konsiderueshme”. “Për më tepër”, tha për MAPO Altin Hazizaj, një ndër bashkëautorët e raportit, “agjensitë ligjvënëse dhe operatorët turistikë kanë informacion shumë të kufizuar mbi turizmin seksual të fëmijëve dhe mbi mënyrën se si duhet të mbrohen fëmijët nga shfrytëzimi.
Ndërkohë, lufta kundër trafikimit të fëmijëve ka patur efekte pozitive në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve nga trafikimi ndër-kufitar, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë në lidhje me trafikimin e brendshëm. “Lufta ndaj këtij krimi duhet të fillojë brenda vendit, ku fëmijët e trafikuar brenda vendit bëhen pre e shfrytëzimit për prostitucion, lypje ose forma të tjera shfrytëzimi”, tha Hazizaj.

Detaje nga raporti
Disa nga detajet që jepen në këtë raport që duhet thënë se ka përdorur një metodologji të plotë shkencore për të analizuar faktet dhe të dhënat (që jo gjithmonë kanë qenë të lehta për tu grumbulluar).
Duke folur për profilin e fëmijëve të cilët janë abuzuar dhe shfrytëzuar, S. Thornton Barkley, bashkëautor i këtij raporti shpjegon për Mapon se “zakonisht fëmijët që kanë përjetuar shfrytëzimin seksual për përfitim janë kthyer në rekrutues ose tutorë për shfrytëzimin e fëmijëve të tjerë. Shumë fëmijë të shfrytëzuar seksualisht e konsiderojnë shumë të vështirë daljen nga cikli i shfrytëzimit, pjesë e të cilit janë bërë. Ky faktor, i kombinuar me të tjerë, i detyron ata të mbeten brenda të njëjtit cikël, madje edhe të përfshihen në rekrutimin e fëmijëve të tjerë”.
Fëmijët rom janë një tjetër kategori që bien pre e shfrytëzimit. Ata jetojnë në varfëri ekstreme dhe ndeshen me shumë vështirësi, përfshirë përjashtimin social. Një pjesë e mirë e tyre dhe e familjeve të tyre jetojnë duke lypur rrugëve. Në raportin në fjalë vihet re se “gjatë stinës së verës, fëmijët rom, veçanërisht ata që jetojnë pranë kufirit me Greqinë, ikin nga Shqipëria për të punuar në Greqi. Kjo i bën fëmijët rom dhe egjiptian më të ekspozuar nga rreziqet e trafikimit ose shfrytëzimit seksual”.
Edukimi i fëmijëve është një faktor i rëndësishëm që mund të rrisë ose ulë vulnerabilitetin e fëmijës ndaj shfrytëzimit seksual për përfitim, theksohet gjithashtu në këtë raport. Vlerësohet përgjithësisht se arsimimi është një mjet drejt një mjedisi më të sigurt për fëmijët. Në disa zona të largëta të Shqipërisë nuk ka akses në arsim dhe fëmijëve u duhet të udhëtojnë disa orë për të ndjekur mësimin. Kjo i bën prindërit që ta lidhin shkollën me një rrezik të mundshëm.

Fëmijët e punësuar, shumë të rrezikuar për shfrytëzim seksual
Sipas Institutit të Statistikës (INSTAT) 9.8 përqind e fëmijëve të moshës 6-14 vjec janë të përfshirë në punë. Vetëm 0.3 përqind e fëmijëve punojnë në zonat urbane, sipas INSTAT, ndërsa në zonat rurale punojnë 16 përqind e fëmijëve të moshës 6-14 vjec. Fëmijët që punojnë janë shumë të rrezikuar nga shfrytëzimi seksual. Gjendja e tyre e vështirë bëhet më e rëndë nga varfëria dhe përjashtimi social. “Fëmijët që punojnë zakonisht i përkasin familjeve që kanë migruar nga zonat rurale në qytete të vogla apo të mëdha. Ata shfaqin shenja braktisje nga familja e tyre dhe këto mund të përdoren lehtë nga shfrytëzuesit për ti mashtruar fëmijët. Puna e bën fëmijën më të pambrojtur pasi e eskpozon atë në situata shfrytëzuese brenda dhe jashtë familjes së tij”, thuhet në raport.

Fëmijët e përfshirë në prostitucion
“Është e vështirë të gjesh statistika mbi numrin e fëmijëve të përfshirë në prostitucion në Shqipëri”, thotë Altin Hazizaj, “megjithatë ne kemi tentuar të hedhim dritë edhe mbi këtë fenomen”.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Policisë dhe atyre të Gjykatës së Tiranës, gjatë pesë muajve të parë të vitit 2008 kishte një rritje me 50 përqind të proçedurave penale që kishin lidhje me prostitucionin, krahasuar me një vit më parë.
Nga ana tjetër, sipas Ministrisë së Brendshme, gjatë periudhës 2006-2007 u identifikuan njëzet e dy raste të “shfrytëzimit seksual” në përputhje me nenin 114/a të Kodit Penal të Shqipërisë, ku vetëm në njërin prej tyre kishte fëmijë të përfshirë
Nuk ka informacion ose të dhëna të djemve të përfshirë në prostitucion në Shqipëri. Megjithatë, ndryshe nga opinioni i përgjithshëm, që thotë se djemtë nuk shfrytëzohen seksualisht për përfitim, shumë ekspertë të të drejtave të fëmijëve besojnë se prostituimi i djemve është ende një fenomen i fshehur dhe disa raste që pëshpëriten tentojnë të ngrenë disa dyshime mbi ushtrimin e prostituimit të djemve.
“Një ditë isha me makinë në qendër të Tiranës, atje ku ura e madhe e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe Bulevardi “Bajram Curri” kryqëzohen me njëri-tjetrin”, thotë në një intervistë një ekspert i CRCA-së. Ai vazhdon më tej: “Ky vend nuk është më shumë se 100 m larg Kryeministrisë dhe Kuvendit. Është një vend i njohur ku rrinë fëmijë, vëllezrit, motrat dhe prindërit e tyre dhe lypin gjatë gjithë vitit. Ishte ora 8-9 e darkës dhe semafori ishte i kuq. Po shihja një tufë prej 4-5 fëmijë që lypnin tek të gjitha makinat që kishin ndaluar. Një nga djemtë trokiti tek xhami im dhe duke qenë se unë nuk i dhashë ndonjë qindarkë, ai u zhvendos tek makina në krahun tim. Ishte një Porsche Cayen, një makinë e re moderne me ngjyrë të zezë. Shoferi nuk ishte më shumë se 25 vjeç dhe ai i buzëqeshi lypësit të vogël. Ata filluan të flasin për diçka dhe pas pak sekondash djali hyri në makinë dhe u ul në vendin e pasagjerit. Ai dukej i lumtur edhe shoferi gjithashtu. Sapo semafori u bë jeshil makina lëvizi bashkë me djalin e vogël në të. Nuk e di çfarë ka ndodhur me atë djalë, por dyshoj se ishte një rast shfrytëzimi seksual i një fëmije.

SipërEmail Printo

  Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike


Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet

Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë