| |
Akademikë dhe editorialistë Shkruan : Revista Mapo Nga Alfred Lela
Ja ku vjen skizma e rradhës e Gazetës MAPO. Hedhja në publik e një katërsheje editorialistësh “çunash” të rinj, si i thonë në të folurën e përditshme, me synim qendërzimin e tyre në agorën e debatit publik. Shumëkujt i ka rënë në sy këto tre javët e para të botimit të gazetës MAPO fakti që kemi në faqen e parë, madje në krye të vendit katër emra të rinj “editorialistësh”. Shumë më tepër se kaq janë treguar dyshues dhe skeptikë: po kush janë këta, nga na dolën këta?
Drejtori i së përditshmes “MAPO”, Henri Çili, ka një ide të tijën se si bëhen editorialsitët në këtë vend: “ata vijnë ose nga rrugëtimi i gjatë dhe shterrues i gazetarëve të karrierës, njëfarë pranie vertikale si të thuash, ose kapërcimi i hendekut nga bota akademike drejt asaj të medias”. Një eksperiment i mëparshëm i llojit të tillë ka rezultuar paq i suksesshëm. Një treshe editorialistësh të ardhur po nga bota akademike i rrinë përkrah, me shpotinë që të sjell promineca e emrit, “gardës së vjetër” të editorialistëve dhe komentorëve të shtypit shqiptar.
Që kjo hyrje të mos ngjajë edhe më gjatë si piramidë kokëposhtë, një stil i të shkruarit të lajmit, të cilin ata që futen në punët e medias nga dera “akademike” ndoshta nuk e dinë, po përmendim emra. Katër “musketierët” quhen Arjan Vasjari, Artan Gjergji, Fabian Zhilla dhe Gentian Elezi. Të katër bashkë janë pedagogë në Universitetin Europian të Tiranës dhe njëkohësisht, që nga hedhja në treg e gazetës “MAPO” do t’i gjeni përditë në faqet Op-Ed të saj.
Kush është kush?
Gentian Elezi ka një Master (MA) në Politika Europiane nga “Sussex European Institute-University of Sussex” në Britaninë e Madhe. Dizertacioni me të cilin ka mbrojutr Masterin titullohet “Forca e ligjit në Shqipërinë post-komuniste”. Para përvojës akademike britanike ai i është nënshtruar asaj italiane duke marrë një diplomë në Shkenca Politike nga Universiteti i Milanos. Tema e diplomës sërish ka patur në qendër Shqipërinë dhe titullohet “Perspektivat e Integrimit Europian: rasti i Shqipërisë”. Ai ka gjithashtu një diplomë në “Çështjet Europiane” nga Instituti i Studimeve të Politikave Ndërkombëtare në Milano dhe veç këtyre një rradhë eksperiencash pune në institucione të ndryshme duke filluar nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, Universiteti i Milanos, Instituti i Studimeve Bashkëkohore etj.
Artan Gjergji është diplomuar për “Tregje kapitali dhe bursa” në Universitetin e Marmarasë në Turqi dhe mban një diplomë “Master of Arts” në Studime Europiane nga Universitetit i Bolonjës në Itali. Ai ka kryer gjithashtu disa kurse specializimi pasuniversitare në “Warsaw School of Economics”, Poloni dhe në “George Washington University”, SH.B.A. Gjergji është autor i një libri të publikuar nga një ndër shtëpitë botuese më të mëdha në Europë, “VDM Verlag”, me titull “Roli i shtetit në zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vendet e Europës Qëndrore e Lindore”. Ai është gjithashtu autor i disa studimeve dhe raporteve ekonomike duke mbetur aktiv në median vizive dhe të shkruar në lidhje me çështjet e ekonomisë dhe financave. Artan Gjergji, është Drejtor Ekzekutiv i “Fondacionit për Liri Ekonomike” dhe vjen nga një eksperiencë relativisht e gjatë në institucione të tregut financiar si Banka e Shqipërisë, Bursa e Tiranës apo Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare.
Fabian Zhilla ka një jetë akademike shumë diverse. Pasi përfundoi studimet në Fakultetin Juridik në Tiranë u shpërngul në Londër ku kreu Masterin me disertacionin: “Sistemi bankar dhe krimi ekonomik”. Me pas ai vazhdoi specializimin e tij në në fushën specifike të korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar në “George Washington” dhe “Georgetown University” në Shtetet e Bashkuara. Duke qenë se çështjet e korrupsionit në tranzicionin e vështirë shqiptar ende përbëjnë një shqetësim shoqëror, Fabiani vendosi t’a bëjë doktoraturën pikërisht në këtë fushë në “Kings College-University of London”, me fokus sistemin gjyqësor. Ai ka fituar disa bursa prestigjioze si “Chevening Scholarship” nga “British Council”, “Bursën e Europës Lindore” nga USAID etj. Marrëdhëniet e tij me shtypin vendas kanë filluar që në vitin 2006 me disa shkrime specifike në lidhje me krimin ekonomik dhe korrupsionin.
Arjan Vasjari ka pas vetes përvoja edhe më të larmishme. Ai, pasi mbaroi Akademinë e Arteve në Tiranë e zhvendosi “kampin” e tij arsimor në Itali ku është diplomuar për Jurisprudencë për të marrë më tej edhe një “Phd” në të njëtën fushë nga Universiteti i Bolonjës. Ai ka gjithashtu një diplomë në “Teknikat e Komunikimit” nga Instituti i Studimeve Aziendale, dega e Milanos. Vasjari ka provuar fatin edhe në politkë duke qenë se në periudhën 2001-2005 ka punuar si Drejtor i Zyrës së Shtypit pranë Partisë Demokratike dhe më vonë, 2006-2009, konsull i Shqipërisë në Bari. Eksperienca e tij në zyrën e shtypit të PD-së e ka bërë sigurisht më të afërt me median duke qenë i pranishëm që herët me shkrime në gazeta të ndryshme.
Akademikë të rinj, ide të reja?
Katërshja, ndoshta mund të konsiderohet njëfarë “Rrethi”, një nocion dhe realitet i njohur mirë në Perëndim i cili përbëhet nga intelektualë me ide të reja, kryesisht jashtë mainstream-it, lobimi për të cilat është sa i brendshëm (përmes debateve në Rreth) aq dhe i jashtëm, në këtë rast, rrahja e tyre në faqet e gazetës MAPO. Ose, ndoshta kjo përpjekje është njëfarë qasjeje ndaj modelit amerikan të “public intellectual”. Individë të tillë, sipas një përkufizimi të një profesori të MIT-ës, janë të trajnuar në një disiplinë të caktuar si gjuhësi, histori, jurisprudencë, komunikim, ekonomi etj., dhe ndodhen në bordin e një universiteti. Kur këta vendosin të flasin dhe shkruajnë për audienca më të mëdha se sa kolegët e tyre atëherë bëhen “intelektualë publikë”.
Sido që të jetë fillimi është i mbarë, por rruga është e gjatë. Për Vasjarin, Zhillën, Gjergjin e Elezin, rri në pritë rreziku i përhershëm i intelektualit; vetëkënaqësia dhe bjerrja. Ata që duan të jenë intelektualë publikë kanë një llogari për të bërë; angazhim të vazhdueshëm në forume të fjalës së folur apo të shkruar apo një kombinim delikat i kësaj me fjalën e lexuar: Librin.
Sipër Email
Printo
|
|
Hajde hidrocentrale!

Shumëçka në këtë aferë të dyshimtë do të varet nga skenaret që do të luhen diku mes pallateve të politikës dhe asaj të drejtësisë. Në këtë hapësirë hileqare do të varet edhe një herë ndoshta, fati politik dhe personal i shumë figurave të sotme publike
Këtu mund te ishte Reklama Juaj
Na kontaktoni |
Fjalët mbrapsht

Ndërsa opozita po nxjerr përditë dokumente dhe fakte, duke hequr dorë nga retorika e akuzave, pala tjetër është katandisur vetëm në sharje ndaj deputeteve femra të PS që bëjnë denoncimet
Pavlefshmëria e heronjve dhe e antiheronjve të korrupsionit

Për fat të keq, ky debat, në vend që të përqendrohej në gjetjen e shkaqeve, alternativave apo zgjidhjeve për të dalë nga bataku i korrupsionit, është përqendruar tek zbulimi i autorëve të korrupsionit apo në faktin se kush është më shumë apo më pak i korruptuar, duke ua hequr këtë ekskluzivitet organeve të drejtësisë
|