Nga: Revista Mapo
Historia e jashtëzakonshme e njerit prej liderëve kryesorë të luftës NÇL, që e mbylli jetën e tij nën vështrimin e ngrysur e dyshues të ish-shokëve të luftës
Dr. Omer Nishani u lind në 5.2.1887 në lagjen Palorto të qytetit të Gjirokastrës në një familje të vjetër qytetare me ndjenja atdhetare dhe tradita arsimdashëse. Fati e solli që djaloshi i vogël që në moshën 4 vjeçare mbetet jetim bashkë me vllanë e tij më të vogël dhe të dy motrat më të mëdha. Në kushtet e vështira ekonomike për familjen, nëna e tij Behançeja i rriti jetimët me profesionin e rrobaqepëses. Shkollën fillore, atë plotore dhe shkollën turke (ruzhdie) i përfundoi në qztetin e vendlindjes. Në vitin 1908, në moshën 21 vjeçare O.Nishani niset për në Stamboll për të marrë diplomën e gjimnazit dhe për të vazhduar studimet e larta për mjekësi, të cilat nuk i përfundoi dot në Turqi për rrethanat e komplikuara të kohës. Në Stamboll, ai u lidh me lëvizjen kombëtare dhe kulturore të diasportës shqiptare të krzeqztetit turk ku luftoi për mbrojtjen e alfabetit latin të gjuhës shqipe. Në vitin 1912, Shipëria fitoi Pavaresinë dhe çlirua nga robëria pesëqind vjeçare osmane. Pas Luftës së Parë Ballkanike, Perandoria Osmane po shembej, ndaj në vitin 1913 O.Nishani sëbashku me shumë nëpunës dhe studentë shqiptarë dëbohen nga Turqia dhe vjen në Vlorë. Me pushtimin e Vlorës nga italianët, Omeri shkon në Berat dhe në vitin 1916 largohet për në kryeqytetin e Austrisë Vjenë që të vijonte studimet për mjekësi. Këtu ai u njoh me gruan e tij Rozvita fon Voler e cila i mbeti besnike deri në fund të jetës. Nga fundi i vitit 1920 kthehet në atdhe dhe vendoset në Durrës ku hapi një klinike mjekësore dhe ushtroi profesionin si mjek dermatolog i portit detar. Në vitet 1923-1924 në kohën e qeverisë së F.S. Nolit, dr. O.Nishani zgjidhet deputet i Durrësit. Viti 1924 do të ishte shkatërrimtar edhe për familjen Nishani si përkrahës i Revolucionit të qershorit 1924. Në vitin 1924, ai, mori pjesë në delegacionin e parë qeveritar shqiptar që u dërgua për bisedimet e para zyrtare me qeverinë e re sovjetike, ku shteti i ri shqiptar kërkoi ndihma për drithëra buke dhe armë të cilat nuk iu kursyen, por për arsye se Shqipëria nuk kishte flotën e saj detare këto ndihma nuk mbritën kurë në Shqipëri, sidomos armët. Siç dihet, qeveria e F.S.Nolit nuk e pati jetën të gjatë sepse u frikësua nga kërcënimet e reaksionit të brendshëm dhe fuqitë e jashtme antishqipatre. Pas rikthimit në fuqi të A.Zogut, dr. O. Nishani jetoi në emigracion për 15 vjet. Fillimisht, në Itali dhe më pas në Austri, duke i mbetur besnik drejtimitpolitik të KONARE-së. Në vjeshtën e vitit 1925 dr.Nishani vjen sërish në Shqipëri me mision revolucionar të KONARE-së, por arrestohet dhe dënohet me dëbim nga Shqipëria. Në bashkëpunim me atdhetarin e majtë Halim Xhelo (Tërbaçin), dr. Nishani botoi gazetën “Liria Kombëtare”, fillimisht në Gjenevë të Zvicrës e më pas në Vjenë si drejtor i saj për 6 vjet. Gjykata e Tiranës për këtë veprimtari e dënoi me vdekje në mungesë dhe konfiskimin e pasurisë. Më 1933 dr.Nishani largohet nga Vjena për në Stamboll, por pas pak ditëve iu dha urdhëri nga policia turke të largohej nga shteti turk si person i padëshiruar. Në Atdhe nuk mund të kthehej sepse ishte i dënuar me vdekje, ndaj kërkoi strehim poliik në Greqinë fqinje, në qytetin Zaqintho në rrethinat e Patrës. Në Greqi, dr. O.Nishani iu vu përkthimeve artistike nga Molieri, La Fonteni, antikiteti e tj. Pushtimi fashist i Shqipërisë, i prillit 1939, të cilin ai e urrente me gjith shpirt e gjeti në Greqi. Në këto kushte, ai kërkoi lejë nga qeveria greke ku strehoej politikisht dhe hyri në tokën shqiptare. Fillimisht dr.Omer Nishani u aktivizua me elementin nacionalist antifashist duke propaganduar bashkimin e popullit në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar në rrethet e intelektualëve dhe zyrtarëve. Por duke parë të kaluarën e tij atdhetare, antimonarkiste dhe antifashiste, krahu komunist e ftoi të merrte pjesë me forcat e LANÇ, të cilës ai iu përgjigj pozitivisht. Në këto kushte dr Omeri nuk mund të jetonte I lirë në qytet, prandaj ai kaloi në ilegalitet dhe u dërgua në zonën partizane të Pezës e mandej në Shtabin e Përgjithshëm të Luftës në Helmës të Skraparit. Veprimtaria e tij gjatë LANÇ ishte tejmase e çmuar në fushën e drejtimit të organeve qendrore të LANÇ. Në Konferencën e II-të NÇ të Labinotit (1943) doktori që tashmë ishte bërë një figurë e dashur dhe simpatike, u zgjodh antar i Këshillit të Përgjithshëm ANÇ kurse në Kongresin e Përmetit (1944) u zgjodh kryetar i KANÇ. Në mbledhjen e Dytë të KANÇ u zgjodh ministër i Punëve të Jashtme të Qeverisë Provizore. Pas Çlirimit punoi me mish e me shpirt për forcimin e pushtetit popullor duke drejtuar me urtësi, kulturë e përgjegjshmëri të lartë organin më të lartë ligjëvënës shqiptar. Doktor Omer Nishani ishte një intelektual i përsosur me kulturë të gjerë e të kompletuar. Ai ishte njëri me shpirt të butë e të madh dhe tejmase i drejtë. Si një intelektual i kompletuar njihte përsosmërisht shumë gjuhë të huaja lindore dhe perëndimore si: turqishten, arabishten, greqishten, gjermanishten, frëngjishten, italishten, anglishten dhe kohët e fundit mësoi edhe gjuhën ruse e tj. Në 2 dhjetor të vitit 1945 zgjidhet deputet i Kuvendit Popullor të zonës elektorale Nr 1 për qarkun e Gjirokastrës e më pas u zgjodh edhe në të gjitha legjislaturat. Më 11 janar të vitit 1946, pra ditën e Shpalljes së shqipërisë Republikë nga Asambleja Kushtetuese, doktor Omer Nishani u zgjodh Kryetar i Presidiumit të Asamblesë Kushtetuese dhe po ato ditë priti Ambasadorët e Parë të akredituar në Tiranë që kishin njohur RPDSH, si psh përfaqësuesi i BRSS (pra Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia) D.S. Çuvahin. Duhet theksuar se RPF e Jugosllavisë e kishte njohur vendin tonë më parë se çdo vend tjetër.
Gjithsesi, si i tillë, ai natyrshëm nuk mund të ndiqte qorazi politikën obskurantiste të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës dhe klanit të tij, me gjithse fillimisht u besoi nacionalçlirimtarëve me sinqeritetin e një njeriu të ndershëm e demokrat, sepse ai u besoi dhe të tilla ishin fillimisht synimet, prentimet dhe qëllimet e tyre. Në vitin 1953, klika që kishte uzurpuar totalisht jetën e vendit në qeveri, në partinë e punës, ushtri, organet e punëve të brendëshme, hetuesi, gjykata, bashkimet profesionale, organizatat e gruas dhe ato të rinisë dhe që pas vdekjes të Stalinit, parashikonte të ekzekutonte vepra edhe më të egra, edhe më çnjerëzore, dr.Omer Nishani për arsyet që tashmë nënkuptoheshin, nuk u zgjodh më Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe në forume të tjera. Ai u denigrua brutalisht kur ende kishte ende plot energji mendore dhe mençurie. Lind pyetja, pse u veprua kështu? Përgjigja është vetëm një! Sepse klika enveriste me njerës të tillë të ndershëm “…nëpër këmbë…” nuk mund të realizonte totalitarizmin e saj kurrësesi. Kishin filluar të dukeshin në horizont furtunat e “Rebelimeve” të para kundër sistemit stalinist i cili i kishte “nxjerë mirë thonjtë”. Psh. ishte realizuar goditja e madhe në Kongresit të Parë të PKSh. Ishte realizuar përjashtimi nga Byroja Politike e KQ të PPSh i Bedri Spahiut, njërit nga shtyllat e PPSh, i cili kërkonte me kënbëngulje në Parti, reabilitimin e grupit të Koçi Xoxes të cilin e kishte akuzuar dhe kishte kërkuar dënimin e tij si Prokuror i Republikës, në atë gjyq special aq të bujshëm, të pa drejtë dhe të trilluar tërësisht. Ishte përjashtuar antari tjetër të Byrosë Politike të Tuk Jakovës, i cili ishte numuri dy në PKSh dhe PPSh, i cili së bashku me antarin tjetër veteran të Byrosë Politike Pandi Kristo, nuk kishin miratuar përjashtimin e profesor Sejfulla Maleshova nga rradhët e Byrosë Politike e KQ të PPSh në Plenumin e V. Akoma më keq, kishte ndodhur skandali i madh i “ Hedhjes së bombës kundër Ambasadën Sovjetike”, por ministri i atëhershëm i Drejtësisë Monol Konomi, nuk kishte pranuar të firmoste dënimin pa gjyq, me pushkatim, të 72 vetëve (!), Monol Konomi i ndershëm nuk pranoi të nënshtrohej dhe pësoi përjashtimin nga KQ i PPSh dhe partia. Gjithsesi, ministri i Brenshëm M.Shehu, duke qenë i bindur se Manol Konomi do të mposhtej dhe do ta firmoste atë urdhër famëkeq kishte arritur të pushkatonte gjatë atyre orëve pa gjyq 12 veta. Por diçka e tillë me M. Konomin nuk kishte ndodhur dhe si rezultat skandali i plasi qeverisë në duar. Preja e radhës ishte sigurisht ministri rebel. Pak janë këto krime makabre! Gjithsesi, këto akte ishin vazhdimit permanent i një mosbinjeje, i një rebelimi në parti i cili pak nga pak do të rritej e do të rritej vazhdimisht. Pra, klika totalitariste, mendonte se me njerës të tillë të ndershëm e thellësisht të pabindur si: dr. Omer Nishani, Tahir Kadareja, Dali Ndreu, Mustafa Gjinishi, Nako Spiru, Bedri Spahiu, Tuk Jakova, Sejfulla Maleshova, Pandi Kristo, Monol Konomi e shumë të tjer, nuk mund të realizonte kurrësesi qëllimet e saj makabre diktatoriale që do të pasonin në të ardhmen. Enver Hoxha nuk kishte ndërmend ta linte vullnetarisht kolltukun e tij pas vdekjes së liderit të komunizmit botëror Stalinit.
Është e dhimbshme të kujtojmë fjalimin e fundit të dr. Omer Nishanit para deputetëve të Kuvendit Popullor me rastin e largimit të tij të pabesë nga detyra e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Doktori i mrekullueshëm, tashmë i moshuar, i preku të gjithë deputetët me fjalën e tij të qetë, të ëmbël e korrekte të shkruar në një fletore të thjeshtë shkollore, çka flet për atë që ia kishin hequr edhe sekretaren.
Kur dr.O.Nishani, veç goditjeve banale politike e kuptoi se udhëheqja dëshironte t’i merrte shtëpinë ku ai banonte, apo se po përgjohej sistematikisht edhe në jetën e tij të ngushtë private nga organet e Sigurimit të Shtetit, çka nuk mund ta bënin kurrësesi pa një urdhër nga lart, nuk duroi më, e ndjeu veten të poshtëruar dhe më 26 maj të vitit 1954, në moshën 68 vjeçare, kreu vetëvrasje në Tiranë dhe e varrosën me një ceremoni të thjeshtë zyrtare në varezat e Bamit.
Shtypi i kohës si dhe botimet zyrtare të më pastajme janë munduar ta maskojnë me shumë kujdes gjithçka, por më kot, populli, partia, njerëzit e thjeshtë e mësuan këtë rast të dhimbshëm dhe e dënuan me indinjatë në heshtje këtë trajtim vetëvrasës politik. Më pas u bënë disa përpjekje për ta vënë në vend dinjitetin e një njeriu të mrekullueshëm si Dr. Omer Nishani, por më kot, atij nuk iu dha kurrë vendi dhe meritat që i takonin.
Prof.As.Dr. Gjergj P.TITANI